Komiteti për Partneritet Publiko- Privat i Qeverisë së Kosovës, ka miratuar kontratën e nënshkruar midis Komunës së Pejës dhe konsorciumit italiano-zviceran “Leitner AG SPA & FILAV SA”, që është operatori fitues i tenderit për ndërtimin dhe menaxhimin e qendrës turistike “Borea” në Bjeshkët e Kopranikut të Pejës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky vendim i marrë më 4 gusht dhe i nënshkruar nga kryesuesi i këtij komitetit, Agim Krasniqi, zv.ministër i Financave, i ka hapur përfundimisht rrugën realizimit të këtij projekti më madhor, që ka pasur ndonjëherë Komuna e Pejës, e cila me këtë projekt shpreson që ta zhvillojë ekonomikisht Pejën, duke e bërë atë një emër të njohur ndërkombëtarisht me këtë qendër turistike.