Vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar rreth 450 milionë euro për ndarjen e subvencione. Por përkundër kësaj shifre, efikasiteti i këtyre të hollave të cilat parashihen t’u dalin në ndihmë qytetarëve në realizimin e projekteve eventuale, nuk është arritur.
Një hulumtim i institutit “GAP” tregon se një ndër shkaqet që ndikon në keqpërdorimin e subvencioneve është mungesa e një rregulloreje, raporton KTV.
Nora Jusufi ka thënë se një ndër problemet që po e shoqëron këtë kategori është përfitimi i subvencioneve disa herë radhazi nga një person i vetëm.
Jusufi ka shtuar se duhet qartësuar edhe terminologjia e subvencioneve, në mënyrë që siç thotë ajo, të shmangen parregullsitë.
Në anën tjetër, fakt shqetësues për Auditorin e Përgjithshëm është subvencionimi i personave të afërt me partitë politike.
Se duhet urgjent një rregullore për të përmirësuar procesin e ndarjes së subvencioneve mendon edhe Drejtori për buxhet në Ministrinë e Financave, Salvdor Elmazi.
Elmazi shprehet i bindur se një rregullore e re do t’i shmangte defektet në këtë fushë. Subvencionet vitin e kaluar kanë përbërë 27 për qind të buxhetit të shtetit.