Para seancës që do të mbahet të enjten, është kriza energjetike ajo që do ta mbledhë sot Qeverinë e Kosovës në detyrë.
Kolapsi i mundshëm energjetik që rrezikon Kosovën, ka bërë që ekzekutivi i vendit të mblidhet për ta gjetur urgjentisht zgjidhjen për këtë çështje.
Mbledhja e së mërkurës e Qeverisë në detyrë, pritet t`i hapë rrugë zgjidhjes pronësore për zhvendosjen e banorëve të fshatit Shipitullë të Obiliqit, në mënyrë që vendi t`i shmanget krizës energjetike.
Të martën, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, takoi ministrat në detyrë Blerand Stavileci e Ferat Shala si dhe drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, për angazhim emergjent lidhur me situatën, shkruan Indeksonline.
Situata është ndërlikuar pasi kanë dështuar përpjekjet e KEK-ut që zhvendosja të bëhet me dialog si dhe me ligj të shpronësimit. Për të gjetur zgjidhje, Komuna e Obiliqit ka njoftuar Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por MPB-ja konfirmoi për RTK-në se nuk mund të përfshihet në situatën e krijuar në KEK.
Zona prej 52 hektarësh është shpallur Zonë me interes të veçantë nga Qeveria e Kosovës më 3 nëntor të vitit 2004, si dhe vendimit tjetër, të 13 marsit të vitit 2009, duke obliguar Ministrinë e Planifikimit dhe Komunën e Obiliqit, që të mos lejojnë ndërtime të reja në fshatin Hade dhe Shipitullë, por një gjë e tillë duket se ka dështuar. /Indeksonline/