Për terrin energjetik që tani po i “kërcënohet” qytetarëve të Kosovës, Qeveria ishte e njoftuar që nga viti 2013, nga menagjmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës për mungesë të thëngjillit i cili nëse nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje do të qoj në ndalim të tërësishëm të energjisë elektrike në më pak se dy javë.
Në një përgjigje për Indeksonline zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, ka thënë se për gjendjen alarmante të krijuar që nga viti 2013 e deri sot në, të gjitha institucionet relevante dhe palët kryesore të interesit në vazhdimësi, duke përfshi Qeverinë e Republikës se Kosovës, Komunën, Bankën Botërore, etj, ishin të njoftuara nga KEK-u rreth rrjedhave dhe ngecjeve në këtë proces.
“Ju ishte kërkuar ndihmë për të evituar bllokadat, ishin paralajmëruar në vazhdimësi për aktivitetet ilegale si dhe rreth rrezikut për rritje të kostos dhe për ndalje të prodhimit. Por fatkeqësisht në këtë proces, nuk ishte parashikuar se prodhimi do të rrezikohet, si pasojë e mosveprimeve të organeve kompetente që kishte nxitur akte manipuluese të spekulanteve individual”, ka thënë ai.
Sido që të jetë, zëdhënësi Bucolli ka thënë se për shkak të ndërprerjes së punës në hapjen e mihjes në drejtim të fshatit Shipitullë, këto rezerva tashmë janë duke u shpenzuar.
“KEK është duke analizuar në vazhdimësi situatën rreth rezervave aktuale, por afati i shpenzimit të tyre varet tani kryekëput nga ekspeditiviteti i institucioneve përgjegjëse në kryerjen e detyrave të tyre për të zhbllokuar situatën dhe lejimin e menjëhershëm për qasje në zonën e përcaktuar për zhvillimin e mihjes”, ka thënë ai.
Bucolli ka shpjeguar se si shenjë e vullnetit të mirë të KEK-ut, për ti dhenë hapësirë arritjes së marrëveshjeve miqësore me banorët e afektuar, që nga korriku i vitit 2016, kishte filluar ndalja e ekskavatorëve që punojnë në zbulimin e qymyrit. Përkundër kësaj, falë punës së palodhshme dhe menaxhimit efikas që ishte bërë në KEK, nga korriku vitit kaluar deri më tani, Termocentralet e Kosovës ishin furnizuar nga rezervat e qymyrit që ishin zbuluar më herët, dhe deri tani nuk ka pasur ngecje ne prodhimin e energjisë sipas planit dhe bilancit vjetor.
Që nga viti 2013 KEK-u kishte filluar procedurat për shpronësim/zhvendosje, për ketë pjesë të fushës së licencuar për zhvillimin e mihjes, dhe me vendim të MMPH-së sipas KPZH ( Kornizës së Politikave të Zhvendosjes), duke synuar standardet më të avancuara ndërkombëtare për sa i përket te drejtave të banorëve të prekur nga procesi zhvendosjes duke zbatuar parimin kryesor se jetesa e banoreve duhet të jetë me e mirë pas këtij procesi.
Në përgjigje thuhet se në këtë vijë, KEK ka angazhuar resurset dhe ekspertizën më të mirë vendore dhe ndërkombëtare që të bëjë një vlerësim dhe kompensim transparent dhe të drejt me qëllim të ngritjes se mirëqenës se banorëve të afektuar. Është përcaktuar saktë shkalla e kompensimit të secilës kategori, e cila pastaj është zbërthyer përmes vlerësimit të licencuar profesional, në oferta individuale, për secilin pronar dhe banorë, duke përllogaritur secilin detal të pasurisë se tyre dhe duke u ofruar edhe përfitime shtesë për transferim dhe rikrijim të jetesës së tyre në vendbanimin e ri duke respektuar maksimalisht të drejtat e tyre./Indeksonline/