Hoti iu premton pleqve kujdes shëndetësor edhe në shtëpi

E publikuar: 07/06/2017 15:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se programi i tyre parasheh rritje të pensioneve për 40% dhe kujdes shëndetësor në shtëpi për pleqtë, të sëmurit nga sëmundjet e rënda dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Programi ynë parasheh tri pika kryesore për pensionistët. Ulja e përvojës së punës nga 15 në 10 vite për ta përfituar pensionin kontributdhënës. Njohja e përvojës së punës gjatë viteve të 90-ta dhe krijimi i Fondit Pensional, i cili do të themelohet me ligj për të siguruar që pensionet të rriten së paku për 40% në krahasim me ato që janë tash”, ka deklaruar gjatë një takimi me elektoratin në Kamenicë, transmeton Klan Kosova.

Ai ka shtuar se Programi i tij, parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. “Në këtë kuadër do të themelohet Fondi për Sigurim Shëndetësor, i cili përveç tjerash, do të rimbursojë barnat për qytetarët nëpërmes skemës së barnave jashtëspitalore”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se do ta mbulojë me fonde 100% barnat nga lista esenciale dhe asnjë pacient nuk do të blejë më barna dhe material spitalor nga Lista esenciale e barnave.