Kurti: Për 18 vite kemi pasur Ramazan për qytetarët, Bajram për pushtetarët

E publikuar: 06/06/2017 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Prizrenit, bashkë me kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës, ku ka premtuar drejtësi e zbatim të ligjit dhe se do të punojë vetëm për popullin.

Kurti është shprehur i bindur se qytetarët e Prizrenit, siç tha ai “do të bashkohen në këtë qytet të bashkimit”.

Kurti tha se në secilën ditë të këtyre 4 viteve të fundit, por edhe të 18 viteve të pasluftës, kemi pasur Ramazan për qytetarët dhe Bajram për pushtetarët. Por, ai premtoi se me qeverisjen e VV-së, kjo do të jetë anasjelltas.

“Pas 11 qershorit nuk do të ketë më qytetarë të dëgjueshëm ndaj politikanëve, por politikanë të dëgjueshëm ndaj qytetarëve. Vetëvendosja është kushti dhe mundësia, është dëshmia dhe garancia për këtë. Vetëvendosje e do shtetin e Kosovës me sovranitet, ekonominë e Kosovës  me prodhim, gjyqësinë me drejtësi, shoqërinë me barazi, politikën e Kosovës me ideale, institucionet e Kosovës me ligj e me moral dhe popullin e Kosovës me Vetëvendosje e demokraci. Jo vetëm tash në muajin e shenjt të Ramazanit, por në secilën ditë të këtyre katër viteve të fundit, por edhe të 18 viteve pas luftës, në Prizren patëm Ramazan për qytetarë, e Bajram për qeveritarët. Kjo me VV-në do të ndryshojë plotësisht, do të bëhet Bajram për qytetarët e Ramazan për qeveritarë”, tha Kurti.

Ai u zotua se me qeverisjen e VV-së do të investohen në bujqësi 240 milionë euro në mandatin e parë. Si dhe u zotua se qeverisja e VV-së do ta fus tërë ekonominë brenda ligjit.

Mytaher Haskuka , kandidatë për deputet i nominuar nga Prizreni nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se ky pushtet e la të vrarë Astritin, komandant Drinin, e vrasësit të lirë.

“Jo korrupsionit. Prizreni po i thotë përfundimisht jo “Zajdnicës”. Jo Vuçiqit, jo Daçiqit. Prizreni po i thotë jo dorëzimit, jo rrënimit të shtetit, jo koalicionit të natës dhe koalicionit të dorëzimit, që e shkatërruan shtetin. Prizreni po i thotë jo atyre që i zbrazen fabrikat nga makinat, e makinat nga punëtorët. Jo aty që i lan punëtorët pa punë, e tokat në djerrin. Minierat i lanë të shkreta. Prizreni po i thotë boll më, pushtetit që i la të humburit të pagjetur, atyre që e lan Ukshin Hotin të harruar dhe të pa gjetur. Këta e lanë edhe Universitetin pa shkencë, kulturën e lan pa libra. Trashëgiminë kulturore të braktisur, bizneset me fajde. Rininë e lanë pa punë në gurbet. Nënat pa djem, e vajza. Këta e lanë komandant Drinin të vrarë, e vrasësin të lirë. E kush i mposhtë këta vrasës, që e vranë Drinin, që e vranë po ashtu Astritin. Këta janë ata që i lanë Gjykatat pa drejtësi, këta e lan Republik ën pa publike. Deshën me marrë vendime për Kosovën, me të tjerët, po ne i ndalëm. Prizreni sot po thotë nuk ka vendim pa popull. Prandaj deri më 11 qershor nuk ka mu ndal. Të gjithë do të punojmë me zemër për numrin 35, që me 11 qershor të kemi një kryeministër me zemër. Të mençur e të guximshëm. Dhe të kemi Albin Kurtin kryeministër. Të punojmë gjithë bashkë derë më derë, familje në familje, shokë me shokë, që më 12 qershor të festojmë 18 vjetorin e çlirimit të Prizrenit, po ashtu të festojmë edhe fitoren e Vetëvendosjes, fitoren e popullit”, tha Haskuka.