Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në Shterpcë, ku ka folur kryetari i kësaj partie Visar Ymeri dhe kandidatja për deputete Albulena Haxhiu.
Ymeri gjatë fjalimit të tij, tha se me 12 qershor po bëhen 18 vite që kur Kosova është çliruar nga Serbia, por gjendja në këtë komunë mbetet e rëndë.
“Pra kemi sot vendbanime në Kosovë ku situata është si para vitit 1998. Dhe kjo është pasojë e këtij pushteti që qeverisë gjithë këto vite”, tha Visar Ymeri.
“Strukturat paralele të Serbisë kanë pushtetin real, mbajnë flamurin e Serbisë këtu. Çka është e çuditshme në këtë mes është, jo se si veprojnë strukturat paralele, por struktura e policisë këtu. Policia punon për përndjekjen e aktivistëve kundër pushtetit dhe për dëbimin e veprimtarëve nga Shqipëria, kuse nuk merret fare me strukturat paralele”, theksoi po Ymeri, thuhet në komunikatë.
Ai shtoi tutje se VETËVENDOSJE! është gati për të qeverisur.
“Shpesh po na pyesin qytetarët a jeni gati për me qeverisë. VETËVENDOSJE! ka qenë e vetmja që ka qenë gati për një kohë të gjatë”, tha Ymeri para qytetarëve të Shterpcës.
Për partitë e tjera, kryetari i VV-së tha se nuk kanë program, kurse për Haradinajn e Hotin tha se vetëm duan të bëhen kryeminista. Ai tha se plani i tyre ka vetëm korrupsionin e krimin, kurse VV ka alternativën.
Në fund ai numëroi 40 prioritetet e Lëvizjes dhe bëri thirrje që me 11 qershor të votohet numri 35, të votohet Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Albulena Haxhiu në Shterpcë: Edhe 9 ditë Kosovës i kthehet dinjiteti
Në tubimin e parë të ditës së tretë të fushatës, në komunën e Shterpcës, ish-deputetja dhe kandidatja për deputete Albulena Haxhiu, tha se me 11 qershor qytetarët do të ndëshkojnë ata që bën pazare me Republikën. “11 qershori do të jetë dita kur qytetarët e Kosovës do t’i ndëshkojnë zhvatësit e matrapazët, servilët e tradhëtarët”, tha Albulena Haxhiu para qytetarëve të Shterpcës.
Ajo më tej shtoi se VETËVENDOSJE! garanton qeverisje për zhvillim ekonomik, mirëQenie e barazi. Si dhe përmendi disa nga prioritetet kryesore, me theks të veçantë strehimin për ata që nuk kanë kulm mbi kokë dhe shtesat për fëmijë “Me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s do të zhbëhen marrëveshjet që cënojne integritetin e Republikës”, tha po ashtu Albulena Haxhiu.
Në fund të fjalës së saj, ajo përmendi edhe mungesën e drejtësisë, duke kujtuar vdekjen e Astrit Deharit dhe mbajtjen në arrest të 4 aktivistëve të tjerë. Me këtë rast, ajo premtoi se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s nuk do të ketë hakmarrje, por drejtësi. “Kanë mbetur 9 ditë nga dita e zgjedhjeve, kanë mbetur 9 ditë kur Kosovës i kthehet dinjiteti”, përfundoi fjalën e saj, duke bërë thirrje që me 11 qershor të mbështet ndryshimi i madh.


















