
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta duke folur per gazetaret pasi ka dale nga Prokuroria e Krimeve te Renda, ku ka deshmuar ne lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi. Doshi ka akuzuar Meten se ka porositur vrasjen e tij dhe te deputetit demokrat Mhill Fufi./r/n/r/nParliament Speaker Ilir Meta , at the Prosecution of Serious Crimes, where he testify about the allegations of lawmaker Tom Doshi. Doshi has accused the Speaker of Parliament Ilir Meta because he has ordered his murder and Mhill Fufi.
Në përfundim të takimit të thirrur prej tij, por ku munguan përfaqësuesit e opozitës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar se PD dhe aleatët e saj po ndjekin një axhendë të caktuar, që sipas tij bie ndesh me ofertat për dialog që po u bëhen.
“Janë bërë disa hapa të rëndësishëm përpara nga mazhoranca për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, por opozita ka një axhendë të sajën që nuk po i shërben këtij procesi dhe nuk do t’i shërbejë as vetë asaj”, ka thënë Meta, duke shprehur keqardhje që “opozita po barazon dialogun me ultimatumin”.
Kreu i LSI ka theksuar se opozitës po i lihet kohë dhe po i krijohen kushte për plotësimin e standardeve të krijuara prej saj, por ajo sipas tij nuk po tregon vullnet për të bashkëpunuar.
“Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën, pasi zgjedhjen e presidentit e kishim bërë me kohë, Kodin Zgjedhor e kishim ndryshuar me kohë, etj. Jemi duke pritur PD, të cilës i janë bërë mjaft oferta, por edhe PD duhet të tregojë vullnet”, ka thënë Meta.
I pyetur nga mediat mbi kërkesat e opozitës, ai ka theksuar se, “qeveria teknike nuk mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme”. Ndërsa sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ai e ka cilësuar atë një kod “të mallkuar” që synon të mbajë Shqipërinë në errësirë.
“Pasojat e krizave të këtyre viteve janë pasojat e kodit të bërë në errësirë, në ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh. Duhet t’u jepet garanci shqiptarëve se vota e tyre do të jetë e drejtë”, ka vijuar Meta.
Ai ka shtuar më tej se, nuk duhet që këto kriza ta çojnë vendin në rrethana destabilizuese.
Balla: Ne, gati për marrëveshje. Basha refuzon
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka deklaruar se krerët e koalicionit qeverisës, Rama dhe Meta, “kanë shprehur vullnet të qartë për të garantuar pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet e 18 qershorit dhe për të garantuar një proces të lirë e të ndershëm”.
Në përfundim të takimit të thirrur nga kreu i Kuvendit për zgjidhjen e krizës, Balla ka akuzuar Partinë Demokratike se po pengon qëllimisht arritjen e një zgjidhjeje, edhe pse PS dhe LSI kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe çështjet më sensitive.
“Në takimet e djeshme me dy miqtë e Shqipërisë ne jemi njohur me dy çështje të reja që na u paraqitën e që për ne ishin shumë sensitive. Megjithatë, dy bashkëkryetarët e koalicionit treguan gatishmërinë për t’i diskutuar ato me liderin e opozitës”, ka thënë Balla.
Sipas tij, “bëhet fjalë për gjetjen e hapësirave ligjore e kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve, si dhe për disa ndryshime në kabinetin qeveritar për të krijuar mundësi për rritjen e besimit të opozitës në procesin zgjedhor”.
“Kur ne ramë dakord edhe me dy çështjet e reja, por me kushtin e vetëm që PD të vijë në Parlament e të votojë vettingun, në atë moment Lulzim Basha është larguar nga negociatat e djeshme”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar më tej se, një tjetër çështje për të cilën kryetari i Kuvendit raportoi në këtë takim ishte ajo e zgjedhjes së presidentit, për të cilën ka theksuar se, procedura e ndjekur nga PS dhe LSI mban në vetëvete vullnetin e mazhorancës për të gjetur një figurë konsensuale, me përfshirjen e opozitës në procesin e përzgjedhjes.
Ndërsa kur flitet për Kodin Zgjedhor, ka shtuar Balla, “koalicioni PS-LSI insiston se ndryshimet duhen bërë nën mbikëqyrjen e arbitrit”.
I vetmi që u paraqit në këtë takim nga opozita ishte kryetari i PAA-së, Agron Duka, por për një tjetër arsye. “Meta kishte realizuar një takim, mua më mori në telefon dhe unë i thash do vij. Pas takimit në orën 6 me Bashën unë erdha e takova, sepse i kisha dhënë fjalën dhe ika. Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tim”, tha Duka.
Ndërsa deputetja e PDIU-së, Mesila Doda u shpreh: “Ka një paketë që duhet të shihet në tërësinë e saj. Edhe afatet e regjistrimit janë pjesë e kësaj pakete. Për ndryshimin e tyre ka propozime që duhet të shihen në ditët në vazhdim”.
/ Top Channel

















