Koordinatorja rajonale e Transparency International, për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Izraelin, Cornelia Abel, i tha Radios Evropa e Lirë se në vendet e rajonit të Ballkanit “sistemi politik është i kapur dhe me pushtet të përqendruar tek partitë politike”.
Sipas saj një “numër i liderëve në Ballkan po shndërrohen në autokratë duke e ndjerë veten të fuqizuar nga rritja e populizmit përreth”. Ajo tha se “fuqia politike dhe financiare në Kosovë janë të përqëndruara në duart e qeverisë dhe sikurse edhe në gjithë Ballkanin, kemi të bëjmë me një sistem të kapur “.
Organizata Transparency International në publikimin e saj të fundit të Indeksit të Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 e ka radhitur Kosovën në vendin 95-të me 36 pikë, në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë i bën shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë në mesin e vendeve më të korruptuara në botë?
Cornelia Abel: Rajoni i Ballkanit ka qenë i trazuar nga kjo çështje për një periudhë dhe procesi i anëtarësimit është përqendruar në këtë. Së fundi, në vendet kandidate dhe në përgjithësi në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ndoshta jo në Kroaci dhe Slloveni, është bërë një vlerësim i integritetit të sistemit dhe mbi të gjitha mundësinë e parandalimit të korrupsionit në sistem.
Koordinatorja rajonale e Transparency International, Cornelia Abel
Rezultati i përgjithshëm i yni në rajon ishte se këtu kemi të bëjmë me sistemin e kapur politik, ku partitë politike kanë pushtet të madh dhe ekzekutivi i mbisundon të gjitha institucionet e tjera dhe nuk ka një ndarje të qartë të pushtetit në këto vende; ka një sistem të dobët të drejtësisë dhe organe të dobëta të sundimit të ligjit, megjithëse ka patur në vitet e kaluara më shumë vëmendje në to dhe ajo që është më shqetësuesja është se mediat dhe shoqëria civile po kërcënohen gjithnjë e më shumë.
Pra, çështja themelore këtu është se nuk kemi një sistem funksional të llogaridhënies dhe mekanizma të sundimit të ligjit dhe dikë që do të kërkonte llogaridhënie nga jashtë sistemit, e që do të ishin mediat dhe shoqëria civile, që janë të kërcënuara dhe të shtypura gjithnjë e më shumë. Kjo çon drejt problemeve të tjera që dalin nga niveli i korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Nëse e vlerësojmë Kosovën, ajo është përballur me korrupsionin që prej vitesh. Por, çka i mungon Kosovës në luftën kundër korrupsionit. Ju folët për Ballkanin në tërësi, por çka në veçanti me Kosovën?
Cornelia Abel: Kur flasim për Kosovën, ajo në indeksin tonë ka shënuar një rezultat të ulët në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit madje edhe më të ulët se sa Maqedonia e cila këtë vit ka rënë jashtëzakonisht shumë për shkak të krizës politike dhe ngjarjeve të tjera.
Ajo që shohim në Kosovë është se legjislacioni nuk është i dobët, por nuk zbatohet si duhet. Kjo ndodh gjithandej rajonit. Ajo që shohim posaçërisht në Kosovë, dhe jo vetëm në këtë vend, është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve. Është përmirësuar paksa në vitin 2016, sepse u krijua një task-forcë e hetimeve që përfshinë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, pra ka hapa të ndërmarrë. Çështja më e madhe është se institucione të ndryshme që kishin përzierje të përgjegjësive nuk kanë bashkëpunuar, por e kanë penguar njëra tjetrën.
Problemi më i madh në Kosovë, e këtu ajo nuk është e vetmuar, është se llogaridhënia institucionale dhe integriteti institucional janë shumë të dobëta. Pastaj fuqia politike dhe financiare janë të koncentruara në duart e qeverisë dhe siç e thash edhe më herët ne kemi të bëjmë me një sistem të kapur e që i referohet edhe Kosovës. Përderisa edhe fuqia politike edhe ajo financiare janë të përqendruara tek një parti politike apo tek ajo që është në pushtet në këtë kohë, ato mund ta keqpërdorin gjithashtu.
Problemi më i madh është me prokurimin publik megjithëse janë bërë hapa në vitin 2016, por mbetet ende një çështje madhore ku mjetet financiare shkojnë në drejtim të gabuar dhe jo për përftime të qytetarëve, por për një numër të vogël të njerëzve. Dhe në fund, partitë kryesore politike po kontrollojnë institucionet e tjera dhe nuk ka ndarje të qartë të pushtetit në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Nëse vendet e tjera po përballen me rritjen e liderëve populistë për shkak të korrupsionit, atëherë ku qëndron Ballkani?
Cornelia Abel: E saktë. Nëse e marrim Ballkanin, tashmë pjesërisht liderët me porosi populiste dhe autokrate kanë ardhur në pushtet. Merreni si shembull atë që po ndodh në Serbi. Ajo po ecë në këtë drejtim. Edhe në Bosnjë populizmi është përdorur shumë posaçërisht nga udhëheqësit e entiteteve që janë shumë të fuqishëm atje. Maqedonia tani, meqë Gruevski sërish ka arritur që të bëjë qeverinë dhe ka kërcënuar, e porosia këtu është autokrate. Autokracia dhe populizmi shkojnë së bashku.
Problemi kryesor këtu është se megjithëse autokratët u thonë njerëzve se ne do të krijojmë rend dhe do të përkujdesemi dhe do të bëhet më mirë, kur e shikoni më afër gjithë këtë e shihni se ka shumë më shumë interesa personale dhe që kryesisht shkon në kurriz të buxhetit të shtetit. Pastaj e shihni se mbyllet hapësira për shoqërinë civile, hapësira e mediave dhe këtë e kemi parë shumë në Ballkan në këto vitet e fundit.
Posaçërisht kishte shumë fokus për këtë në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, gjithandej ku mediat dhe gazetarët kanë raportuar në mënyrë kritike dhe janë kërcënuar dhe pjesërisht kjo vlen edhe për shoqërinë civile. Ka pak hapësirë për llogaridhënie kur bëhet fjalë për autokratët dhe duhet vetëm të shihet Turqia që nuk është larg nga Ballkani Perëndimor, ku në këto tri vitet e fundit i gjithë sistemi që ishte i ndarë ka rënë në duart e sistemit presidencial.
Kam frikë se një numër i liderëve në Ballkanin Perëndimor po shikojnë nga Trump, nga Putini, Orbani e Erdogani. Megjithëse në vende të vogla ata po e ndjejnë veten të fuqizuar nga rritja e populizmit përreth dhe unë shpreh shqetësimin tim për këtë gjë.