Aty u tha se Ligji për Falimentimin është kyç për funksionimin e ligjeve tregtare dhe se me këtë ligj rregullohet edhe aspekti i falimentimit për bizneset. Po ashtu u theksua se është e rëndësishme që të ketë zbatim të mirëfilltë të ligjit, sepse në këtë mënyrë arrihet edhe zhvillim ekonomik i qëndrueshëm për vendin.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka vlerësuar si proces pozitiv miratimin e Ligjit për Falimentim, i cili sipas tij krijon një sistem bashkëkohor për procedurën e falimentimit, praktikë kjo e cila ka qenë e pamundur në të kaluarën për shkak të dispozitave të mangëta ligjore.
Zeka ka thënë se gjykatësit duhet të merren me zbatueshmërinë e këtij ligji, raporton Ekonomia Online.
“Oda Amerikane ka vlerësuar pozitivisht miratimin e Ligjit për Falimentim, i cili është i mirëseardhur edhe për bizneset të cilat përballen me procedura të falimentimit. Krahas kornizës ligjore, Oda Amerikane do të donte që gjykatësit të merreshin me falimentimin, duke zbatuar ligjin në tërësi. Kjo do t’u ndihmonte të merreshin edhe me rekomandimet të cilat i ka caktuar edhe Komisioni Evropian”, ka thënë Zeka.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se pa pasur zbatim të ligjit është e vështirë të ketë edhe ekonomi të zbatueshme në vend.
“Jemi dëshmitarë të sfidave të gjyqësorit, ku numri madh i lëndëve po e vështirëson punën e gjyqësorit. Pa pasur sundim të ligjit është e vështirë të ketë ekonomi të zbatueshme në vend. Hartimi i qëndrueshëm i parakushteve ligjore është hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Besoj fuqimisht që hyrja në fuqi e Ligjit për Falimentim i ofron të gjitha bizneseve qasje të strukturuar. E drejta për të zhvilluar punë është po aq e rëndësishme sa shuarja e bizneseve të tyre”, tha Hoxha.
Kurse, Christopher Thomson, drejtor i programit të USAID-it për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial, tha se falimentimi është procedurë e pashmangshme e zbatimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik të një vendi.
“Falimentimi është procedurë e pashmangshme e zbatimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik të një vendi. Juristët duhet të jenë mjaftë të mirë në aspektin e zhvillimit dhe komunikues të mirë për klientët e tyre që të sigurohen që falimentimi të funksionojë ashtu siç parashihet. Ligji për Falimentim është në mesin e atyre ligjeve më të avancuara në Ballkan dhe unë dua të shoh Kosovën duke zbatuar ligjin në mënyrën e duhur”, ka thënë Thomson./Ekonomiaonline.com