Myftiu Tërnava uron besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve

E publikuar: 25/12/2016 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e Krishtlindjeve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i ka dërguar telegram urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.

“Me rastin e festës së Kërshëndellave, me respekt ju uroj e përgëzoj Juve, të gjithë meshtarët tuaj, si dhe besimtarët e krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Kërshëndellat në vete simbolizojnë lindjen, jetën, mbarësinë dhe mesazhin për një shoqëri të ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë”, thuhet në telegramin e urimit, transmeton Klan Kosova.

Tërnava në këtë telegram është shprehur se “festat fetare tek ne gjithherë kanë kultivuar vlera e virtyte humane, hyjnore e sociokulturore, të cilat që na kanë bashkuar e fisnikëruar si dhe kanë kultivuar, promovuar e reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë”.