Berisha: Kosova ka humbur nga marrëveshja për kodin telefonik

E publikuar: 13/11/2016 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, i cili është njohës i fushës së telekomunikimit, ka komentuar rreth marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që e bën Kosovën më në fund me kod të vetin telefonik.
Berisha ka thënë se ende nuk ka një dokument zyrtar, përkundër që është një deklaratë e Bashkimit Europian, dhe nuk është e sigurt asgjë, ngaqë kështu ka qenë edhe vite më parë e më pas është negociuar marrëveshja e arritur.

Berisha më parë ka shkruar edhe në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me këtë temë, duke thënë se marrja e kodit duke dhënë infrastrukturën telekomunikuese në veri Serbisë, nuk sjell asnjë dobi.

“Kosova këtu ka humbur ngaqë ka lejuar që ata të bartin asetet e Telekomit në MTS, por dyshimet i kam që ka edhe lëshime tjera”, ka thënë Berisha për Koha.net.

Dyshimet e tij janë që Kosova ka bërë edhe kompromise tjera duke lëshuar edhe favore tjera për Serbinë, me kusht që të marrë kodin telefonik nga ITU, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, gjë që i takon Kosovës.

“Dyshimet e mia janë që këta do të shtrijnë në gjithë Kosovën operatorin e tyre”, shtoi Berisha, duke thënë se nuk mund të ketë kod etnik, që të shtrihet vetëm në një rajon.