Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë punëdhënësit që kanë punëtorë në marrëdhënie pune se duhet të sigurohen që të dhënat e punëtorëve të tyre të jenë të regjistruara në Sistemin Elektronik EDI.
Sipas njoftimit, regjistrimi duhet të bëhet për secilin punëtor ekzistues, më së largu deri më 31 tetor 2026.
ATK kërkon që të dhënat e regjistruara të jenë të sakta, të plota dhe në përputhje me gjendjen faktike të punësimit.
Punëdhënësit obligohen që brenda afatit të përcaktuar të verifikojnë dhe, nëse është e nevojshme, të plotësojnë ose përditësojnë të dhënat e punëtorëve në Sistemin Elektronik EDI.
Afati i fundit për përmbushjen e këtij obligimi është 31 tetor 2026.
ATK u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të mos e lënë këtë proces për ditët e fundit dhe të sigurohen me kohë se të dhënat e punëtorëve janë të regjistruara saktë dhe në përputhje me gjendjen reale të punësimit.


























