Komuna e Prishtinës është gjobitur me 20 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi Inspektorati i Kryeqytetit publikoi në rrjetin social Facebook një gjobë kundër një qytetari, duke ekspozuar një sërë të dhënash personale që sipas ligjit nuk duhej të bëheshin publike, raporton Infosot. Përveç gjobës financiare, AIP ka urdhëruar Komunën që të largojë menjëherë nga llogaria zyrtare çdo të dhënë personale që vazhdon të jetë e qasshme për publikun, përfshirë edhe fotografinë e qytetarit.
Vendimi është marrë pas një procedure inspektimi të zhvilluar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila kishte pranuar më 10 prill 2026 një njoftim për publikimin e paautorizuar të të dhënave personale nga Inspektorati i Kryeqytetit. Sipas vendimit, në faqen zyrtare të këtij institucioni në Facebook ishte publikuar një gjobë administrative, në të cilën shfaqeshin emri dhe mbiemri i qytetarit, data e lindjes, numri personal, numri i telefonit, adresa, targat e motoçikletës dhe fotografia e tij.
Agjencia konstatoi se Inspektorati kishte publikuar një njoftim për ndalimin e qarkullimit të trotineteve dhe motoçikletave në shesh, duke paralajmëruar se shkelësit do të ndëshkoheshin sipas legjislacionit në fuqi. Mirëpo, krahas këtij njoftimi informues ishte publikuar edhe dokumenti konkret i gjobës, i cili përmbante të dhëna që mundësonin identifikimin e drejtpërdrejtë të personit të ndëshkuar.
Gjatë procedurës së shqyrtimit, AIP konstatoi se më vonë disa nga të dhënat personale në dokument ishin anonimizuar, por fotografia e qytetarit kishte mbetur ende publike. Sipas Agjencisë, fakti që të dhënat u fshehën vetëm pasi ishin publikuar nuk e zhbën shkeljen e kryer, pasi ato kishin qenë tashmë të ekspozuara për një numër të pakufizuar përdoruesish të rrjetit social.
Në vendim thuhet se Agjencia kishte kërkuar edhe sqarime nga Komuna e Prishtinës lidhur me bazën ligjore dhe qëllimin e publikimit të këtyre të dhënave. Më 20 prill 2026, zyrtarët e inspektimit i ishin drejtuar institucionit me kërkesë zyrtare përmes postës elektronike, por Komuna nuk kishte kthyer përgjigje, pavarësisht rikërkesës së bërë nga Agjencia. Ky mosbashkëpunim është vlerësuar si mungesë bashkëpunimi institucional gjatë procedurës së inspektimit.
Agjencia sqaron se, ndonëse publikimi është bërë nga Inspektorati i Kryeqytetit, përgjegjës ligjor për përpunimin e të dhënave personale është vetë Komuna e Prishtinës. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Inspektorati është vetëm njësi organizative dhe nuk gëzon status të veçantë juridik, prandaj përgjegjësia bie mbi Komunën si kontrolluese e të dhënave personale.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se publikimi i të dhënave personale përbën përpunim të të dhënave dhe një veprim i tillë duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore. Ligji kërkon që çdo përpunim të respektojë parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, transparencës dhe minimizimit të të dhënave, që nënkupton se një institucion publik duhet të publikojë vetëm informacionin që është domosdoshmërisht i nevojshëm për arritjen e qëllimit të informimit.
Sipas Agjencisë, informimi i qytetarëve për aktivitetet e inspektoratit dhe masat ndëshkuese mund të konsiderohet interes publik, por kjo nuk i jep të drejtë institucionit të publikojë të dhëna që identifikojnë drejtpërdrejt personin. Në këtë rast, qëllimi i informimit mund të ishte arritur edhe pa ekspozuar identitetin e qytetarit.
Vendimi vë në dukje se janë publikuar të dhëna që nuk kanë qenë aspak të nevojshme për informimin e publikut, përfshirë emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, numrin personal, adresën, numrin e telefonit, targat e motoçikletës dhe fotografinë. Sipas Agjencisë, publikimi i numrit personal paraqet rrezik të lartë, pasi mund të çojë në keqpërdorim të identitetit dhe cenim të sigurisë e privatësisë së individit. Ndërsa kombinimi i emrit, adresës, telefonit, targave dhe fotografisë e bënte personin lehtësisht të identifikueshëm nga kushdo që kishte qasje në publikim.
Agjencia i ka kushtuar rëndësi edhe faktit se publikimi është bërë në Facebook, një platformë ku përmbajtja mund të shpërndahet, kopjohet dhe ruhet nga një numër i pakufizuar përdoruesish. Për këtë arsye, sipas vendimit, dëmi ndaj privatësisë është edhe më i madh, pasi kontrolli mbi të dhënat humbet sapo ato bëhen publike në rrjetet sociale.
Pas shqyrtimit të rastit, Agjencia ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ka përpunuar të dhënat personale në kundërshtim me nenin 4 dhe nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke shkelur parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, transparencës dhe minimizimit të të dhënave. Për këtë arsye është vendosur gjoba prej 20 mijë eurosh.
Përveç gjobës, Komuna është urdhëruar që të largojë nga llogaria zyrtare në Facebook çdo të dhënë personale të qytetarit që vazhdon të jetë publike, përfshirë fotografinë, si dhe të sigurojë që kopjet e publikimit të mos mbeten të qasshme për publikun. Ajo duhet ta paguajë gjobën brenda 30 ditëve, ndërsa nëse nuk e bën këtë, vendimi do të shndërrohet në titull ekzekutiv dhe do të zbatohet përmes përmbarimit privat.
Komuna e Prishtinës është obliguar gjithashtu që brenda 30 ditëve ta njoftojë Agjencinë për Informim dhe Privatësi për masat e ndërmarra në zbatim të vendimit.
Sipas këshillës juridike të përfshirë në vendim, ndaj këtij akti nuk lejohet ankesë administrative. Pala e pakënaqur mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, brenda afatit prej 30 ditësh, por ngritja e padisë nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të Agjencisë.































