Inter në “tunel”, Kukeli merr fitoren e parë

E publikuar: 29/09/2016 23:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tjetër mbrëmje e errët europiane për Interin e De Boer. Skuadra italiane pësoi disfatën e dytë në po kaq ndeshje, duke bërë një figurë të shëmtuar në Europa League ku mban vendin e fundit të grupit K me asnjë pikë. Ishte Sparta e Pragës që kaloi zikaltërit në Çeki me rezultatin 3-1, duke i dhënë një leksion futbolli ekipit zikaltër që nuk kishte reflektuar aspak nga disfata e takimit të parë në “San Siro” ndaj Hapoel Beer Sheva. Dy golat e Kadlec në pjesën e parë mbyllën praktikisht historinë sepse pavarësisht rrjetës së Palacios, Holek vulosi fitoren e çekëve. Në takimin tjetër të këtij grupi, Hapoel Beer Sheva dhe Southampton u ndanë në barazim pa gola.

Në Toskanë, Fiorentina shkatërroi 5-1 Karabakun e Ansi Agllit, i cili luajti gjatë gjithë sfidës. Vendasit dominuan në çdo aspekt azerët duke marrë drejtimin e grupit J me 4 pikë, po aq sa PAOK që fitoi 2-1 në fushën e Slovan Liberec. Fitore shumë të rëndësishme regjistroi Zurich ndaj Osmanlispor me rezultatin 2-1. Burim Kukeli u aktivizua për 90 minuta në sfidën ku Sadiku mungoi për shkak të një dëmtimi. Nuk pati fitues në Bukuresht ku Steaua dhe Villarreal nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 me të dy golat e shënuar në pjesën e parë. Zurich mban vendin e tretë në grup bashkë me rumunët, ndërsa “nëndetësja e verdhë” renditet në krye me 1 pikë më shumë.

Në Grupin I, Schalke dominoi 3-1 Salzburgun për të shkuar në kuotën e 6 pikëve, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe Krasnodar që shkatërroi Nice 5-2 duke u ngjitur në krye të klasifikimit. Në përballjet e tjera, Ajax u mjaftua me një gol për të mposhtur Salzburg dhe për të regjistruar suksesin e dytë në grupin G, ndërsa Celta Vigo nuk hasi vështirësi ndaj Panathinaikosit duke shënuar dy gola në pjesën e dytë për të rrëmbyer tre pikëshin që e ngjit në kuotën 4. Në Grupin H, Gent fitoi 2-0 ndaj Konyaspor, ndërsa Shakhtar Donetsk u imponua me të njëjtin rezultat ndaj Bragës./supersport.al/