Gazetari Vehbi Kajtazi përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se ka denoncuar në polici kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, transmeton Koha.net.
Kajtazi dje ka thënë se ishte kërcënuar në telefon nga kryeministri Mustafa pasi ky i pari kishte raportuar në lidhje me faktin se vëllai i Mustafës kishte kërkuar azil në Gjermani e Francë për të kërkuar shërim nga një sëmundje e rëndë.
“Sapo kam denoncuar në Polici, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa për kërcënim ndaj meje. Rastin janë duke e hetuar hetuesit e krimeve të rënda në Policinë e Kosovës. Pres prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës që të veprojë me të njëjtat standarde sikur në rastin e Alban Morinës, i cili ishte arrestuar, akuzuar, gjykuar e dënuar brenda dy ditësh për shkak të një kërcënimi në Facebook që i kishte bërë djalit të kryeministrit, Besnik Mustafës dhe ministrit Arban Abrashi”, ka shkruar Kajtazi.
















