Kosova para çdo gjëje

E publikuar: 12/03/2016 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Harry Bajraktari, New York
Gjendja e sotme politike në Kosovë është komplikuar, jo vetëm për shkak të problemeve të shumta të pazgjidhura politike e ekonomike, por më tepër për shkak të mos gadishmërisë për t’u përballur me to, dhe për të vepruar bashkarisht për të mirën e vendit. Krizën e këtyre problemeve e thelloi edhe më tej nënshkrimi i dy marrëveshjeve nga ana e qeverisë së Kosovës për asociacionin e komunave serbe dhe ndarja e kufirit me Malin e Zi, ku opozita akuzoi se me to shkelej kushtetuta dhe dëmtohej shtetësia dhe territori i Kosovës. Lidhur me asociacionin, siç dihet, është dhënë një vlerësim i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa pë vijën kufitare presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po formon një komision ndërkombëtar për rishikimin e përcaktimit të kufirit Kosovë- Mal i Zi.
Për kaq kohë sa po zgjatë kjo krizë politike kundërthënëse dhe tash së fundit edhe me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme, nuk pamë ndonjë vullnet sado të vogël mes pozitës dhe opozitës për të gjetur një rrugë të përbashkët për të mirën e shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Përkundrazi gjendja e vijës ndarëse ka eskaluar edhe më tej dhe s’ dihet se deri ku do të shkojë. Këto kundërthënie të ashpra në mes institucioneve dhe opozitës, ku asnjëra palë nuk lëviz nga pozicioni apo të themi nga status quo-ja, flet për një diskurs të pa pranueshëm në kuptimin e shtetndërtimit, zhvillimit dhe demokratizimit të Kosovës, e cila po kalon ditë të vështira qe një kohë. Përgjegjësinë për këto dy marrëveshje e kanë qeveria dhe institucionet shtetërore, të cilat nuk vepruan në bazë të parimeve kushtetuese dhe në mënyrë më transparente, por për situatën e krijuar s’ mund të amnestohet as opozita me disa veprime të saj. Ata (pozitë-opozitë) që ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj, pa tjetër duhet të ulën në një tryezë, pa marrë parasysh mos durimet mes tyre, dhe me një bashkëpunim të gjejnë rrugën e humbur. Në të kundërtën kjo krizë do të prodhojë kriza të tjetra, të cila mund të jenë të rrezikshme për Kosovën.
***
Nga kjo del se politikën tonë po e dominojnë interesat partiake, individuale e klanore, të cilat veprojnë brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Kjo është fatkeqësia më e madhe që po i ndodh popullit të Kosovës. Pozita në pushtet dhe opozita që e kontrollon këtë, kanë një qëllim interesi: këta që ndodhen në pushtet me çdo kusht të mbesin aty ku janë pa marrë parasysh punën e tyre të mirë apo të keqe, lëshimet apo shkeljet e sistemit ligjor, korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe opozita që është jashtë, me çdo kusht ta marrë pushtetin, me votë apo pa të. Ky mentalitet i politikës sonë nuk është i tashëm, është i hershëm dhe i vjetër. Mjafton ta shikojmë historinë dhe të bindemi.
Për të qenë edhe më keq, kemi ardhur në një situatë të atillë, do të thoshja, tepër të rëndë, ku në vend se të merremi me zhvillimin e shtetit për të cilin populli ynë u sakrifikua aq shumë, po merremi me njëri- tjetrin dhe kjo po bëhet kryesisht për interesa partiake, individuale e grupore në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sikur kjo energji e harxhuar kundër njëri -tjetrit, të shfrytëzohej kundër politikës agresive serbe dhe sikur kjo energji të orientohej për shtet-ndërtim, për ofrim të projekteve ekonomike, për një demokraci dhe qytetërim evropian, Kosova do të ishte në një pozicion më të volitshëm në kontekst të politikës dhe zhvillimit të brendshëm dhe prestigjit të saj në politikën e diplomacinë ndërkombëtare. Ne si popull, i shkelur me shekuj nga armiqtë e hershëm dhe të vonshëm, do të duhej të ishim shembull për të tjerët në Ballkan, e jo me përcjellje të krizave të një pas njëshme institucionale. Mentaliteti dhe vetëdija që politika dhe pushteti të shfrytëzohen për perfitime personale, grupore e klanore po e mbysin shpresën e këtij populli dhe në të njëjtën kohë po tekurret perspektiva evropiane e Kosovës, që është jetike për përparimin e saj. Nëse kthehemi e shikojmë prapa nga përfundimi i luftës e këndej ose nga pavarësia e këndej, rrallë ose hiq s’ do të gjesh pushtetarë, politikanë që kanë kaluar nëpër institucione shtetërore, politikanë të partive, kryetarë komunash, madje edhe deputetë që nuk kanë përfituar në mënyra të ndryshme, dikush më shumë e dikush më pak, sipas pozitës dhe mundësisë, në një mënyrë apo tjetër të gjithë. Mjafton ta vështrosh listën e agjencionit kundër korrupcion rreth pasurimit të këtyre njerëzve nga një vit në tjetrin. Natyrisht, s’ mund të ketë konsolidim të shtetit nëse interesat individuale e partiake dominojnë interesat e përgjitshme. Ky është problem më i madh dhe dëshpërues për popullin kur të gjithë këta pasurohen nga politika, duke i krijuar favore vetvetes. Nëse shikohet nga ky kënd mund të vish në një përfundim se e tërë politika jonë është zhytur në këtë pellg.
Me këtë rast dua të përdor një mendim të filozofit anglez Thomas Hobbes, thënë disa shekuj më parë që mund të koincedojë me situatën aktuale të shqiptarëve sot : “Nëse dy njerëz dëshirojnë të njëjtën gjë, ata kthehen në armiq me njëri-tjetrin, pasi, që të dy, nuk mund të gëzojnë atë në të njëjtën kohë”. Pra, kjo më së miri e shpjegon vetëdijen tonë. Për fat të keq ky mentalitet ende syndon kokat e njerëzve të politikës sonë si në Kosovë, në Shqipëri, tek shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek ata të Luginës së Preshevës. Pak besohet se kjo luftë kaq e ashpër dhe shumëherë e pa arsyshme bëhet për çështej kombëtare, për ngritjen e shtetit dhe perspektivën e shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë. Parlamentet tona janë shndërruar në arenë konfliktesh dhe qerim hesapesh. Kështu, populli po mbetet peng i këtyre interesave personale, i grupacioneve politike dhe të tjerëve. Pushtetet janë ndërruar edhe në Kosovë, dhe në Shqipëri, por gjendja ka mbetur e njëjtë në kuptimin e ndërrimit të mentalitetit. Nuk mund të ketë ndryshime derisa të mos avancohet përgjegjësia ndaj shtetit dhe përgjegjësia ndaj zbatimit të së drejtes ligjore dhe politikës gjyqësore. A mund t’i besosh frazës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, se të gjithë janë të barabart para ligjit?! Për shumë kënd kjo tingëllon si një eutopi.
Acarimi i situatës në një shkallë kaq ekstreme ku nuk mund të funksionojë normalisht organi më i lartë legjislativ i shtetit- Kuvendi i Kosovës, në mungesë të dialogut dhe të refrizimit të ndërsjellë, është më tepër se një alarm për politikanët tonë. Vetëm me biseda të shëndosha mund të lëvizin gjërat përpara dhe në asnjë mënyrë me refuzim dhe me inate e xhelozi. Kosova ka nevojë t’ u rikthehet zgjidhjeve të problemeve në interes të popullit: Zhvillimit ekonomik, realizimit të projekteve të vogla dhe të mëdha ku do të mund të inkuadroheshin të rijntë tanë të pa punë, tërheqja e investitorëve të huaj dhe ecja drejt NATO -s dhe Evropës, e jo konfliktet dhe interesat individuale e grupore.

(*Autori është veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York).