Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev tha se LSDM do të marrë pjesë vetëm në zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike në të cilat kjo parti do t’i pranojë dhe do ta merr përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët, por nuk e tha datën e zgjedhjeve.
Ai tha se Nikolla Gruevski me shtyrjen e datës së zgjedhjeve ka pranuar humbjen dhe se frikësohet nga zgjedhjet sepse do ti humb ato. Sipas Zaevit, Gruevski e dëshmoi se nuk ka kushte për zgjedhje të lira më datë 24 prill dhe se ka tentuar ta mbulojë krimin e tij dhe familjes së tij duke i bërë dëm Maqedonisë duke e shkelur marrëveshjen e Përzhinos në të njëjtën kohë.
“Para një ore VMRO, tha se nuk do të lëviznin nga data 24 prill, por asgjë më nuk varet nga Gruevski. Sonte u konfirmua. A ju thashë? Ja ndodhi. Asgjë më nuk varet nga Nikolla Gruevski. Në Maqedoni do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike me listë të pastruar zgjedhore dhe reforma për media të lira në të cilat të gjithë qytetarët do të jenë të lirë të marrin pjesë. Në Maqedoni duhet të zgjidhet qeveri e re me legjitimitet të plotë për ti zgjidhur të gjitha problemet serioze dhe për ta kthyer Maqedoninë në rrugën evropiane. Vetëm në zgjedhje të drejta LSDM do ta merr përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët. Ndryshimet po vinë vetëm me zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike ku fitues do të jenë qytetarët, LSDM dhe vlerat evropiane.” tha Zaev.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 83 vota për, 3 kundër dhe 0 të përmbajtur, votoi vednimin për shpërbërjen e Kuvendit me datë 7 prill, 2016. Parlamenti do të shpërndahet 60 ditë para zgjedhjeve, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 5 qershor.