AAK do të jetë e përkushtuar që vendi ta kapërcejë këtë krizë

E publikuar: 18/01/2016 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një kumtese për media ka shprehur gatishmërinë që të jap kontributin e saj për gjetjen e një rruge për dalje nga kriza. Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që për këtë të bashkëpunojë edhe me Qeverinë, por sipas tyre jo në format të cilat kjo e fundit i ka propozuar deri sot.

Sipas AAK-së, kriza në të cilën ndodhet vendi është më e thella ndonjëherë.

“Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, asnjëherë nuk ka qenë më e thellë se sa sot. Shumë nga politikanët, intelektualët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm, por edhe partnerët ndërkkombëtarë, po përpiqen të jenë pjesë e zgjidhjes, qoftë me ide, qoftë me veprime konkrete”.

“Do të duhej që pjesë e zgjidhjes të bëhën edhe ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, e jo të provojnë që ta thellojnë atë akoma më shumë, me shpresë se vetë do të jenë të kursyer”.

“Idetë që të krijohen do farë komisionesh që do ta intepretonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për Asociacionin, apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize”.

“Prandaj të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime që e rëndojnë situatën, por që janë në funksion të zgjidhjes së krizës politike që e ka përfshirë vendin”.

“AAK do të jetë e përkushtuar të japë gjithçka nga vetja, që vendi ta kapërcejë këtë krizë!”, thuhet në fund të kumtesës së AAK-së dërguar mediave.