Pengesat e Thaçit për t’u bërë president (Video)

E publikuar: 16/01/2016 20:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi është në rrugë të mirë për tu bërë president, kjo për faktin se ai është kandidati i vetëm i shpallur deri me tani, mirëpo rrugës atij mund t’i dalin disa pengesa. Kushtëzimi eventual nga partnerët e koalicionit qeverisës, paralajmërimet e opozitës që do ta bllokojë seancën në të cilën do të votohet presidenti i ardhshëm janë disa nga pengesat të cilat mund t’i dalin kreut të PDK-së drejt rrugës për tu bërë president.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu nuk është i sigurt nëse Thaçi do të arrij të bëhet president. Kjo për faktin se ai do të kushtëzohet nga të gjitha palët për të votuar për të parin e vendin. Spahiu thotë se kushtëzimin më të madh mund të i’a bëjë Lista Serbe dhe deputetët e LDK-së, të cilët më votën dhe pjesëmarrjen  e tyre do të përcaktojnë zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

E nga ana tjetër, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se deputetët e opozitës vetëm fizikisht mund të pengojnë seancën plenare kur do të zgjidhet presidenti, sepse më numra ata e kanë të pamundur ta bëjnë. Kundërshtimi i opozitarëve më anë të forcës, sipas Krasniqit do të dëmtonte legjitimitetin e presidentit.

Kronika e plotë nga Tribuna Channel.