Ende nuk janë llogaritur dëmet e shkaktuara në ndërtesën e qeverisë dhe pronat publike nga protesta e opozitës më 9 janar.
Atë ditë, kur protesta po i afrohej fundit, objekti i qeverisë dhe më pas edhe autoblindat e policisë u sulmuan me kokteje molotovi që shkaktuan shpërthim zjarri dhe përfshirjen e tyre nga flaka.
Qeveria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dalë me ndonjë shifër të dëmeve që janë shkaktuar, ndërsa Komuna e Prishtinës tha se nuk ka pasur asnjë dëm material, përveç intervenimit për pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit.
Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, nuk ka dhënë përgjigje për KALLXO.com, lidhur me dëmet që iu bënë ndërtesës së qeverisë, duke u arsyetuar se posa të marrë informacion nga administrata do të kthejë përgjigje.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për KALLXO.com se policia është duke bërë të gjitha vlerësimet operacionale lidhur me mbarëvajtjen e protestës, duke përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga ana e protestueseve të dhunshëm.
“Si pasojë e disa protestuesve të dhunshëm, janë shkaktuar lëndime të disa zyrtarëve si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet zyrtare, por edhe në prona publike e private,” tha ai.
Ndërkaq, Miranada Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunës e Prishtinës, tha se nuk ka pasur dëme materiale në qytet.
“Dëme materiale në qytet nuk ka pasur, derisa është intervenuar menjëherë në pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit, si çdoherë pas tubimeve apo manifestimeve të mëdha në qytet,” tha ajo.
KALLXO.com, një ditë pas protestës solli pamje nga sheshet e kryeqytetit. Një pjesë e fasadës së ndërtesës së qeverisë kishte mbetur e nxirë nga flakët e disa koktejeve të molotovit të janë hedhura nga protestuesit.
Gjithashtu, në pjesët ku u zhvillua protesta shiheshin vazo, shporta e shenja komunikacioni të demoluara, e po ashtu mbetjet e gurëve të cilët të shtunën ishin të shumtë.