World’s got talent: Milot Rashica, xhevahiri i ri i Vitesse-s. Ky është titulli i përdorur në Itali, në rubrikën dedikuar talentëve të rinj të futbollit europian.
Pasi bëri për vete opinionin sportiv në Holandë, shkëlqimi i mesfushorit me tipare sulmuese nuk mund të kalonte pa u vënë re edhe përtej Adriatikut.
Një profil i plot i talentit të Kombëtares Shpresa të Shqipërisë, nga hapat e parë të karrierës në Vushtrri, te transferimi i bujshëm në radhët e Vitesse-s dhe debutimi fantastik në një prej ligave më të rëndësishme të kontinentit.
Rashica cilësohet një prej të rinjve premtues më interesantë në Eredivisie-n holandeze, ku në 21 ndeshje ka koleksionuar 6 gola dhe 2 asist. “Nuk ka dyshim që këto shifra janë të destinuara të rriten”, theksohej në profilin dedikuar 19-vjeçarit kuqezi.
Mes cilësive të Rashicës vlerësohen bagazhi teknik; shpejtësia, që e bën thuajse të pakapshëm për rivalët; inkursionet nga krahët drejt qendrës; aftësia për të sulmuar hapësirat dhe për të shërbyer shokët në zonën kundërshtare.
Rashica që “vazhdon të mahnisë me fanellën e Vitesse-s” cilësohet “një talent me rritje të jashtëzakonshme, për të cilin do të flitet shumë gjatë merkatos së verës, me klubet e mëdha që mund të mendojnë seriozisht ta afrojnë në skuadër”.