Për kundër faktit se bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të janë bizneset më të qëndrueshme dhe më profitabile, këtë fat nuk po e gëzojnë kompanitë e sigurimeve.
Sipas raportit deri në tremujorin e tretë të këtij viti, të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës, kompanitë e sigurimit vazhdojnë të raportojnë humbje.
Deri në muajin shtator 2015, shihet se kompanitë e sigurimeve arritën të hyra neto në vlerë prej 54.1 milionë euro. Dëmet e ndodhura janë 29.8 milionë euro, shpenzimet janë 27.4 milionë euro, ndërsa profiti neto është -3.1 milionë euro, raporton Gazeta Ekonomia.
Sipas BQK-së, si të hyra kryesore kompanitë e sigurimi kanë të hyrat nga primet e shkruara në vlerë prej 62.6 milionë euro (sigurimet jetësore 2 milionë euro dhe sigurimet jo-jetësore 60.7 milionë euro), ndërsa shpenzimet nga dëmet e paguara deri në këtë periudhë janë 27.4 milionë euro, apo 43.8% nga primet e pranuara.
Asetet e kompanive të sigurimit deri në fund të këtij tremujori arrijnë në vlerën prej 157.7 milionë euro (nga sigurimet jetësore 14.9 milionë euro dhe sigurimet jo-jetësore 142.8 milionë euro).
Në Kosovë aktualisht veprojnë 15 kompani të sigurimeve nga të cilat 10 kanë pronësi të huaj, 3 nga këto ofrojnë shërbimin për sigurim jetësor. Veprojnë me gjithsej 502 degë në të gjithë vendin dhe të punësuar në këto kompani janë gjithsej 1,809 punëtor.