“Ky është një vit i dështuar i politikës së jashtme të Kosovës si në aspektin shumëpalësh ashtu edhe atë dypalësh. Ajo vazhdoi të jetë reaktive në procese të rëndësishme. Në aspektin shumëpalësh, dështimi në UNESCO tregoi se sa joserioze ka qenë strategjia për të arritur anëtarësim në këtë organizatë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, lufta për merita dhe egoizmi i treguar përgjatë procesit të anetarësimit në UNESCO nga protagonistët e MPJ-së tregoi qysh në fillim se ky qëllim është vështirë i arritshëm. Për më shumë, sipas saj, mosanëtarësimi në UNESCO krijoi një precedent shumë të rrezikshëm për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e tjera si Këshilli i Evropës, Organizata Botërore e Shëndetësisë, etj sepse është hera e parë që u refuzuam të bëhemi pjesë e një mekanizmi të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Në aspektin dypalësh, cështja e njohjeve është lënë tërësisht anash, siç shihet edhe nga rezultati dëshpërues këtë vit. Me një njohje të vetme për këtë vit (nga shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara), diplomacia e udhëhequr nga Hashim Thaci ka rënë në pikën më të ulët që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2008. Një trend i tillë i njohjeve rrezikon seriozisht proceset shtetndërtuese të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe anëtarësimin në Kombe të Bashkuara si qëllim final të këtij procesi”, ka thënë Osmani.
Për dështime të tilla serioze, thekson Osmani Ministri Hashim Thaci do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i tij ministror ose edhe të shkarkohej dhe zëvendësohej me një tjetër nga Kryeministri.


















