Korenica: Kushtetuesja vetëm sa e ka paqartësuar situatën rreth Asociacionit

E publikuar: 24/12/2015 23:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike e Juridike ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, teksa ka thënë se marrëveshja e 25 gushtit për asociacionin mund edhe të mos zbatohet.

“Për aq kohë sa gjykata vendos që parimet fundamentale të marrëveshjes janë kundër kushtetuese, pavarësisht që nuk e anulon marrëveshjen në kuptimin formal, një marrëveshje e tillë më nuk mund të jetë një detyrim të cilën duhet ta zbatojë Kosova në rendin e brendshëm juridik, për aq kohë që detyrimi i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës” tha ai për VoA.

Korenica thotë se vendimi do të sjellë edhe më tej paqartësi në skenën politike të vendit.

“Por besoj që guximi minimal i gjykatës duhet çmuar, por duhet argumentuar që kjo nuk është e tëra që ka mundur të bëjë gjykata sepse fatkeqësisht duke mos e çuar deri në fund vendimmarrjen e saj. Sa i përket marrëveshjes këtu mund të prodhohet një situatë e re që politikisht është e vështirë të qartësohet dhe në këtë situatë vendimi i gjykatës mund të interpretohet në forma tërësisht të kundërta, siç po ndodh aktualisht dhe kjo jo që e zgjidhë situatën politike, jo nuk e qartëson se çfarë duhet bëhet me asociacionin, por e komplikon edhe më shumë”, ka thënë Korenica.