Sekretari organizativ i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, teksa ka folur sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka thënë fal angazhimit të këtij subjekti sot po zhvillohet debati më i madh politik e shoqëror.
E debati, sipas tij, i ndan dy ide për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Molliqaj, ka shprehur bindjen se është gati të fitojë ajo e Vetëvendosjes dhe përkrahësve të saj, e që shtetin e sheh si projekt vendas dhe të popullit, i bazuar në historinë e përpjekjes për çlirim dhe shtetndërtim. Ideja e pushtetit aktual, që sipas Molliqajt bazohet në idenë që Kosova është projekt ndërkombëtar, po diskreditohet në vazhdimësi.
“Janë bërë pothuajse katër muaj nga fillimi i betejës sonë kundër Zajednicës dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Përgjatë kësaj kohe janë mbajtur shumë tubime, takime, mbledhje, aksione, protesta dhe aktivitete tjera. Po ashtu janë arrestuar, mbajtur në burg dhe lënduar shumë aktivistë. Si rezultat i betejës sonë 10 vjeçare, sot në Kosovë është duke ndodhur debati më domethënës politik e shoqëror. Janë duke u ballafaquar dy koncepte politike mbi shtetndërtimin. Në njërën anë koncepti i pushtetit dhe mbështetësve të tij që shteti i Kosovës do të bëhet sepse Kosova është projekt ndërkombëtar. Dhe në anën tjetër koncepti i Lëvizjes dhe mbështetësve të saj sipas të cilit Kosova është dhe duhet të jetë projekt vendas dhe i popullit, i bazuar në historinë e përpjekjes për çlirim dhe shtetndërtim, histori të cilën pushteti e ka fshirë nga çdo dokument i rëndësishëm, përfshirë Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se duke besuar fuqishëm në shpjegimin që më vështirë është ta rrënosh një mendim, ide apo botëkuptim të vjetër se sa ta vendosësh një të ri, atëherë besoj që punën e vështirë pothuajse e kemi kryer.
“Jam i bindur që ideja e vjetër (pra koncepti që Kosova është projekt ndërkombëtar) është duke u diskredituar më të madhe dhe në kohë të shpejtë. Nuk kam asnjë dilemë që konceptit tonë po i hapet rruga”, ka thënë ai.
Molliqaj ka shprehur bindjen se sot, për dallim nga 10 vite më parë: pothuajse askush nuk beson që drejtësia në Kosovë do të vijë nga ndërkombëtarët, pothuajse askush nuk beson që ndërkombëtarët do ta luftojnë korrupsionin, pothuajse askush nuk beson që privatizimi sjellë punësim dhe zhvillim, pothuajse askush nuk beson që dialogu pa kushte me Serbinë, e ndërton apo forcon shtetin e Kosovës, pothuajse askush nuk beson që duke i bërë lëshime Serbisë do të ketë integrim te serbëve në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, pothuajse askush nuk beson që duke bërë negociata me Serbinë do të ketë integrim euroatlantik për Kosovën.
Ka thënë se mund të vazhdojë të numërojë edhe shumë gjëra të tjera për të dëshmuar që ideja e Kosovës si projekt ndërkombëtar ka qenë një mashtrim i madh. E sipas tij, është dashur shumë punë, lexime, shkrime, debate, protesta, aksione, burgosje, lëndim dhe flijime siç është rasti i Monit dhe Arbenit për ta shpërfaqur këtë mashtrim të kësaj ide të rreme.
“Në ndërkohë që jemi duke ia dhënë goditjet e fundit kësaj i ideje të mbrapshtë, po ballafaqohemi fuqishëm edhe me produktet e kësaj ideje që janë partitë në pushtet dhe një pjesë e konsideruar e shoqërisë civile dhe medieve. Sa më shumë që kjo ide delegjitimohet aq më autoritar dhe i dhunshëm bëhet produkti i saj, pushteti”, ka thënë Molliqaj.
Sot pushteti është më represiv sepse i është delegjitimuar ideja, ka thënë më tutje Molliqja.
“Kur rezistenca e fiton luftën e ideve, krejt çka i mbetet është lufta me pushtetin autoritar. Sigurisht që edhe kjo betejë kërkon punë, dije, angazhim dhe mbi të gjitha sakrificë. Prandaj sot më shumë së kurrë na duhet solidaritet në veprim”, ka thënë ai. “Jam i bindur që të gjithë ju, delegatë dhe aktivistë të pranishëm në mbledhje, ndani mendim e njëjtë me mua se grupi ynë parlamentar është shembull dhe prijës, deri me tani, në gatishmërinë e treguar për sakrificë dhe solidaritet në veprim. Dhe më lejoni që në këtë rast t’i përgëzoj në emër timin por besoj edhe të gjithë juve, deputetë tonë. Megjithatë, asnjëherë nuk guxojmë të gabojmë dhe t’i harrojmë aktivistët që ditë e natë po vazhdojnë palodhshëm kontributin dhe sakrificën për konceptin tonë”, ka shtuar më tej.
Sekretari organizativ ka thënë se javët dhe muajt në vazhdim janë vendimtarë për Kosovën dhe kauzën tonë.
“Rreziku më i madh në këtë kohë mbetet lodhja. Lodhja është shenja e parë e kompromisit. Ndërsa ky i fundit, shenja e parë e dorëzimit. Secili nga ne e kemi të qartë që përparimi politik, shoqëror dhe ekonomik asnjëherë nuk është bërë pa mund dhe sakrificë. Sigurisht që nuk do të jetë ndryshe as në betejën tonë”, ka thënë ai. “Puna dhe sakrifica që na kërkohet sot është edhe më e lehtë dhe më e vogël se ajo që na është kërkuar në të kaluarën. Por është përcaktuese për krejt atë çka kemi bërë deri më tani dhe sidomos për të ardhmen e shtetit, shoqërisë dhe Lëvizjes. Prandaj bëj thirrje që secili nga ne të jemi gati për tubime, takime, protesta, e tashmë edhe burg, në mënyrë që konceptit tonë, pra shtetit të Kosovës, t’i japim mundësi”, ka shtuar ai.
Molliqaj ka thënë se kur e dëgjojmë fjalën punë dhe sakrificë jo rrallëherë na shkon mendja që kjo do të nënkuptonte vetëmohim absolut.
“Prandaj është e domosdoshme që kur mendojmë për punën dhe sakrificën që lypet nga ne, ta konkretizojmë atë, në mënyrë që ta kuptojmë që nuk është asgjë për secilin nga ne të jap kontributin e tij sot, aq të nevojshëm për Kosovën dhe Lëvizjen. Secili nga ne duhet të jetë gati që të punoj disa muaj për kauzën tonë, të shkoj në burg disa muaj, të rrahet nga policët, të thithë gazin lotsjellës, etj. Të nderuar delegatë, të dashur aktivistë, është koha jonë, është koha për punë, është koha për guxim, është koha për veprim, është koha për fitoren tonë. Shihemi në protestat e radhës, që do ta bëjnë ndryshimin”, ka thënë në fund Molliqaj.
















