Rritet borxhi i Kosovës

E publikuar: 19/12/2015 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Borxhi publik i Kosovës gjatë këtij viti është rritur, por, megjithatë mbetet më i ulëti krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, deri në shtator të këtij viti, borxhi publik ka arritur në 719.5 milionë euro, nga 550.9milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur 12.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kjo vlerë Kosovën e vë në pozitë mjaft të volitshme sa i përket borxhit publik, prandaj ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë kredi vetëm për qëllime zhvillimore, ka shkruar në rrjetin social facebook, ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se shuma e borxhit aktual nuk është e lartë, por shqetësues, sipas tyre, mbetet fakti se ky borxh po rritet shumë shpejt.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se borxhi kryesisht po rritet për të ruajtur qëndrueshmërinë buxhetore dhe jo për investime kapitale.

“Nëse kemi parasysh se para dy vjetësh borxhi publik ka qenë dy herë më i ulët dhe pjesëmarrja e tij në BPV ka qenë rreth 5 për qind, tashmë rritja është shumë e shpejtë. Dhe, për fat të keq, ky borxh publik po rritet vetëm për të ruajtur bilancin buxhetor, do të thotë për të financuar deficitin buxhetor dhe jo përinvestime në projektet kapitale”, vlerëson Rexhepi.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, thotë se vlera e borxhit nuk është e lartë, por megjithatë, sipas tij, për të marrë borxhe dhe për t’i ikur rrezikut të mundshëm, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një strategji nacionale.

“Shfrytëzimi dhe menaxhimi iborxheve publike bëhet siç shfrytëzohet edhe buxheti i Republikës se Kosovës. Do të thotë nuk kemi një standard më të lartë ose më të ulët të atyre mjeteve, me përjashtim kur vendet kreditore janë të përfshira drejtpërdrejt në menaxhimin e atyre fondeve”, thekson Gashi.

Ibrahim Rexhepi, ndërkaq, thotë se nëse autoritetet kompetente dëshirojnë të hyjnë në borxhe tek institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare, duhet të realizojnë projekte, të cilat garantojnë kthim..

“Kosova edhe në të ardhmen nëse orientohet te rritja e borxhit publik, te shfrytëzim i huadhënies apo kredive nga burimet e ndryshme, duhet të ketë parasysh se ku duhet t’i investojë këto para”.

“Këto para nuk mund të shkojnë në projekte, të cilat nuk garantojnë kthim, edhe nëse nuk do të jetë kthim efektiv në para, atëherë mund të jetë kthim përmes përmirësimit të ambientit për investime, që do të thotë do se ndikojë dukshëm në rritjen e qëndrueshme ekonomike”, thotë ai.

Por, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se nëse hyjnë hua tek institucionet financiare ndërkombëtare, mjetet do të shfrytëzohen për projekte kapitale, siç janë projektet e sistemeve të ujitjes së tokave bujqësore, projektet për hekurudha, rrjete energjetike dhe projekte të tjera strategjike, transmeton rel.

Ndryshe, nga borxhi i përgjithshëm, 352 milionë euro janë borxhe të brendshme, kurse borxhi i jashtëm ka arritur në 367.2 milionë euro.