Gjilani e Anamorava sot janë bashkuar për ta ndalur të keqen, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj teksa është kthyer në histori për të përmendur emrat që i ka dhënë kjo trevë e Kosovës për lirinë e vendit.
“Në të kaluarën është luftuar edhe me pushkë, por sot ju jeni duke luftuar në një mënyrë për ta ndalur të keqen”, ka thënë Haradinaj, në fjalën e tij para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Gjilanit, në atë që opozita e ka thirrur si Manifestim për Republikën.
“Mali i Zi po thotë nuk duam tokë të Kosovës, e pushtetarët tanë prapë po duan që t’i japin. Por janë disa djem e vajza që janë mbledhur për t’i thënë jo Marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. E pushteti po i burgos vetëm për të na futur frikën”, ka thënë Haradinaj.
Nga radhët e AAK-së, para qytetarëve të Anamoravës ka folur edhe numri dy i partisë Ahmet Isufi, i cili e ka nisur fjalimin e tij duke i pyetur qytetarët e mbledhur se a janë kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.
Pasi ka marrë përgjigjen e pritur, ai ka thënë se kjo është “fjala e popullit për këto Marrëveshje”.

















