Ka kaluar vetëm një ditë prej kur Donika Kadaj-Bujupi është zhvendosur nga burgu i Lipjanit në shtëpinë e saj, ku po e vuan masën e arrestit shtëpiak. Ajo ka treguar si është takuar me Albulena Haxhiun në burg dhe si është arrestuar në shtëpinë e saj.
“Unë isha në Interaktiv deri vonë një natë më parë dhe të nesërmen në mëngjes, edhe kisha paralajmërime, i prita në shtëpi dhe ju përgjigja kërkesës së tyre për shoqërim në Prokurori. Policia ka qenë korrekte, por në Prokurori kishte shumë parregullsi”, tha Kadaj-Bujupi po në “Interaktiv” të KTV-së, duke përmendur se në dokumente shkruante se mund të lajmërohem në polici deri më datën 25, ndërsa policia më arrestoi disa ditë më herët.
Ditët e saj në burg, për të cilin deputetja e Donika Kadaj-Bujupi thotë se ishte përgatitur, është e gatshme t’i përsëritë nëse është nevoja për interesa shtetërore, transmeton Koha.net.
“Kam pasur vizita nga familjarët dhe sjellja e oficereve në burg ka qenë shumë e mirë”, ka rrëfyer Kadaj-Bujupi, duke treguar se me kërkesë të saj ka qenë e vetme në dhomë dhe në shëtitje një orëshe.
“E kam takuar Albulenën, i kemi pasur dhomat përballë dhe kemi komunikuar. Ajo është mirë dhe e ka përballur mirë”, tregoi deputetja opozitare, duke potencuar se lirimi i Albulena Haxhiut është i domosdoshëm ngaqë ajo ka një fëmijë në shtëpi dhe duhet të kujdeset për të.
Helmimi brenda burgut, sipas Kadaj-Bujupit, ka ardhur si rezultat i një ushqimi dhe ka marrë trajtimin e duhur, duke thënë se “nuk dua të paragjykoj se ka qenë me qëllim nga dikush”.
Refuzimi për intervistë në polici, deputetja e AAK-së, tha se ishte e nevojshme që opozita të ishte e bashkuar, për refuzimin e Marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. Këto refuzime, sipas saj, kanë qenë personale dhe jo partiake.
Asaj i vjen keq për ata që kanë pësuar lëndime në protestat që janë nxitur pas arrestimit të saj. Deputetja e AAK-së, tha se nuk dëshiron të krahasojë këtë pushtet me atë të Millosheviqit, por që represioni është i njëjtë. Krahasimi i ministrit Abrashi të metodave të VV-së me xhirimin e aksioneve kundër zyrtarëve me metodat e ISIS-it, ajo tha se janë të turpshme dhe po i afrohen pasardhësve të Millosheviqit, siç është Daçiqit.
Absurde, vlerësohen nga deputetja Kadaj-Bujupi, thirrja e seancave të reja në këtë katrahurë politike, duke u munduar që ta paraqesin situatën normale. Thirrja e pozitës, ka qenë një veprim sipërfaqësor në formë shfryrje të mllefit nga inatet që po mbajnë. Ajo tregoi evoluimin e sjelljeve të kryeministrit Mustafa nga kundërshtimi i prerë për refuzim të marrëveshjeve, erdhi në pikën kur po i fut në shqyrtim vetëm pasi veproi opozita.
Ajo më tej ka ripotencuar refuzimin e Marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, duke shtuar se nuk mburret për veprimet e saj me gaz lotsjellës dhe si rezultat i mbrojtjes së vendit si pjesë e betimit të deputetit, ajo do të hidhte përsëri gaz.