Kuçi: Të luftohet korrupsioni s’është e lehtë

E publikuar: 10/12/2015 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në publikimin e Raportit Kundër Korrupsion, të realizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi , Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, tha se ky raport paraqet një realitet që tashmë ekziston në Kosovë dhe u pajtua se shteti ka shumë punë për të bërë në luftimin e rasteve korruptive.

“Kam pare qe është bëre një pune e madhe. Përgëzoj hulumtuesit. Raporti paraqet një realitet ekzistues të Kosovës. Luftën sfidat e ngecjet ne luftën kundër korrupsion”, u shpreh Kuçi.

Gjatë fjalimit të tij para të pranishëmve, në mesin e të cilëve ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Connell që njëherit është edhe përkrahës i projektit, Ministri Kuçi tha se për luftimin e korrupsionit duhet angazhuar e tërë shoqëria kosovare.

“Nëse e shohim gjendjen reale e cila s’është edhe shumë e mirë, dhe në këtë drejtim duhet të them se ne institucionet dhe shoqëria jonë s’është vetëm fenomen në letër, por një çështje që duhet ta konsiderojmë si jetike për funksionimin e rendit dhe ligjit. Aspiratat tona për integrim në BE lidhen me ligjin dhe respektimin e tij, dhe luftimi i korrupsionit është krucial për integrim”, tha Ministri i Drejtësisë.

Pasi e tha se Kosovës s’i mungon infrastruktura ligjore që i përcakton qartë llojet e shkeljeve ligjore që lidhen me korrupsion, Ministri Kuçi dha një sugjerim se si duhet organizuar e menaxhuar me mekanizmat për të luftuar këtë dukuri.

“Ka ardhur koha që Kosova të ketë një adresë të luftimit të korrupsionit në veçanti të nivelit të lartë dhe se duhet të kemi një individ që identifikohet me luftimin e korrupsionit. Ne duhet të krijojmë një hierarki në luftimin e kësaj dukurie. Sistemi në Kosovë ka shumë njerëz të ndershëm, profesionalë dhe të paanshëm, dhe këta njerëz duhet t’i fuqizojmë”, konstatoi Kuçi.

Ministri Kuçi e pranoi se të luftohet korrupsioni në Kosovë, s’është një punë aspak e lehtë dhe se prokurorëve duhet t’iu njihet puna kualitative e jo ajo kuantitative.

Në fund, ai u ka bërë thirrje prokurorëve, hetuesve dhe qytetarëve që t’i vënë në funksion mekanizmat e tyre për t’i treguar rastet e korrupsionit./Klan Kosova