Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, presidentja e Kosovës ka thënë se 9 dhjetori shënon ditën e korrupsionit, i cili është një e keqe që kërcënon çdo shoqëri, që pengon zhvillimin e shtetit, minon sundimin e ligjit dhe ngadalëson rritjen ekonomike të vendit.
Ajo theksoi se si presidente e Kosovës është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor.
“Përmes Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të themeluar dhe udhëhequr nga unë, ne kemi përmirësuar bashkërendimin dhe efikasitetin ndërmjet institucioneve të mandatuara për ta luftuar korrupsionin. E kemi përmirësuar transparencën si dhe po punojmë me shoqërinë civile për të ngritur vetëdijesimin për domosdoshmërinë e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit. Në vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka ngritur ndjeshëm numrin e rasteve kundër zyrtarëve të lartë për raste korrupsioni”, tha Jahjaga.
Ajo ftoi Kuvendin e Kosovës që të miratojë sa më parë Ligjin e ri për Prokurim Publik i cili sipas saj, përpos që do të sigurojë integritetin e domosdoshëm në procesin e prokurimit, do të mundësojë edhe prokurimin elektronik në Kosovë për ta bërë tenderimin e parasë publike më transparent.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe të përkushtuar të veprojmë konkretisht kundër korrupsionit. Kemi përgjegjësi të përbashkët që të tregojmë patriotizmin tonë duke qenë të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zbatim të ligjit për të ndërtuar shtetin e së drejtës”, tha tutje Jahjaga.
Ndërkohë që sipas “Indikatorëve Botëror të Qeverisjes” të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar Kontrollin e Korrupsionit për 16%, krahasuar me vitin e kaluar.
Jahjaga: Korrupsioni, e keqja që pengon zhvillimin e vendit
NGA KATEGORIA