Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj e ka konfirmuar se AAK-ja e ka marrë ftesën për dialog të bërë nga kryeministri Isa Mustafa.
Ai ka thënë se është për të të ardhur keq që Mustafa është dashur të presë shtytjen nga John Kerry për ta bërë këtë gjë, njofton Klan Kosova.
“E para është për keqardhje që kryeministri Isa Mustafa thërret për dialog pas kaq shumë kohësh”.
“Pse është dashur që të vij sekretari amerikan i shtetit që ai të kuptojë se dialogu është i domosdoshëm?”
Por Nitaj ka theksuar se kjo ofertë duhet të jetë e atillë që të ofrojë rrugë për t’u tërhequr nga marrëveshjet, përndryshe nuk do të ketë dialog.
“E dyta nëse kryeministri ka ofertë serioze se si të tërhiqen marrëveshjet, AAK dhe Opozita do ta pranojë ofertën”.
“Por nëse ai provon që ta amnistojë veten duke thënë: “Ja unë po thërras në dialog, përgjigja do të jetë negative”, ka përfunduar ai për Klan Kosovën.