Strategu spanjoll ka thënë se mungesat që ka në skuadër nuk do ta përcaktojnë rezultatin e përballjes me Las Palmas, pasi Los Blancos do ta fitojnë ndeshjen.
Reali i Madridit do të ketë 5 mungesa në sfidën e kësaj të Shtune ndaj Las Palmasit, e cila do të zhvillohet në “Santiago Bernabeu”.
Përveç James Rodriguez, Karim Benzema dhe Gareth Bale, “Los Blancos” në takimin ndaj skuadrës së ardhur nga Segunda Division, nuk do të kenë në dispozicion as njeriun e momentit, Keylor Navas dhe kapitenin Sergio Ramos.
Në këtë mënyrë përballë Las Palmasit do të bëjë debutimin me Realin në një ndeshje zyrtare portieri, Kiko Casilla.
Gjithsesi Rafael Benitez është i bindur se skuadra e tij mund të fitojë edhe me kaq shumë mungesa.
“Nuk do të forcojmë askënd. I kemi mjetet e nevojshme për ta përballuar një ndeshje të tillë edhe me kaq shumë mungesa. Prioriteti ynë është të bëjmë më të mirën për Realin dhe futbollistët. Keylor Navas ka një mbingarkesë dhe nuk do të rrezikojmë as me të dhe as me Ramos, Benzema dhe James. Këta lojtarë janë riaftësuar por së bashku me stafin mjekësor kemi vendosur t’i lëmë pushim, pasi nuk duam të rrezikojmë asgjë, pa i patur të gjithë në formën optimale”.
Në vijim Benitez mbrojti stafin mjekësor të Realit teksa theksoi se këta të fundit po e bëjnë shumë mirë punën e tyre.
Trajneri spanjoll më pas u përqëndrua te La Liga. Sipas 55-vjecarit pjesë e garës për titull nuk do të jenë vetëm Reali e Barcelona.
“E kam thënë edhe më parë që ky do të jetë një kampionat ku ekipet e vendeve të para do të grumbullojnë më pak pikë se zakonisht. Atletico është një skuadër e madhe dhe kurrësesi nuk mund të përjashtohet nga gara për titull. Pastaj janë edhe Valencia, Villareal e Sevilla që mund t’i marrin pikë cdo ekipi”.