Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Safet Kamberi, kryetar i Degës së LDK, Bislim Imeri, kryesues i KK, Rrustem Musa, përfaqësues i PDK-së dhe shef i grupit të këshilltarëve të kësaj partie në KK, Nysret Çubreli, kryetar i Degës së AKR-së deh këshilltar në KK, Faruk Mujka, kryetar i Degës së Vetëvendosjes dhe shef i këshilltarëve në KK dhe Vesel Neziri, kryetar i Degës së PD-së dhe këshilltar në KK, janë takuar në orët e pasdites në zyrën e kryetarit të komunës dhe kanë biseduar për situatën më të re të krijuar në komunë.
Kryetari Bahtiri tha se, pas vendimit të BE-së që të shtyjë për 48 orë fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe takimit më zëvendës ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë, si dhe bisedave telefonike me disa ambasadorë të shteteve perëndimore në Prishtinë, e ka pa të udhës për t’i njoftuar pjesëmarrësit në takim me përmbajtjen e bisedave dhe me qëndrimin që duhet të marrin bashkërisht, pasi që këto janë çështje tepër të ndjeshme e të rëndësishme për komunën.
Ai tha se nga zëvendës ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Jennifer Bachus, ka marrë garanti se punimet për rivitalizimin e urës do të fillojnë gjithsesi pas 48 orësh dhe se nuk do të lejohet hapja e planit të Ahtisarit edhe sa i përket definimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave, andaj edhe është dakorduar që të pritet të kaloj edhe ky afat, duke kërkuar mbështetjen e tyre për këtë.
Pas diskutimit të gjatë lidhur me çështjen e përcaktimit të kufirit administrativ dhe fillimin e rivitalizmit të urës kryesore mbi lumin Ibër, të pranishmit njëzëri miratuan këto konkluzione:
-Kundërshtohen fuqishëm përpjekjet e drejtuesve serbë të komunës në veri të qytetit, për të ndryshuar kufijtë e përcaktuar sipas planit të Ahtisarit dhe për të ndërlidh këtë çështje me rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër;
-I jepet mbështetje e plotë kryetarit të komunës, Agim Bahtiri në qëndrimin e tij për të mos nënshkruar assesi marrëveshjen për përcaktimin e kufirit administrativ midis dy komunave, jashtë planit të Ahtisarit;
-Mbështetet po ashtu qëndrimi i kryetarit Bahtiri për t’i dhënë mundësi nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë komunal dhe shtyrjen e fillimit të punëve për rehabilitimin e urës edhe për 48 orë, ashtu sikur që ka vendos BE-ja, në dakordim me institucionet më të larta të vendit, pasi që janë dhënë garanci të forta, si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-të, se nuk do të ketë më shtyrje kurrsesi, edhe nëse marrëveshja nuk nënshkruhet.
–Ftohen qytetarët e komunës që të mbështesin institucionet komunale dhe ato në nivel qendror lidhur me zgjidhjen paqësore të këtyre dy çështjeve me rëndësi për komunën dhe qytetarët e saj dhe sikur deri tash, edhe në vazhdim të tregohen të matur e syçelë, në mënyrë që të mos bëhen pre e provokimeve të atyre që janë të interesuar për të shkaktuar probleme;
-Kërkohet nga BE-ja, institucionet më të larta të vendit dhe faktori ndërkombëtar, që të mbajnë premtimin e dhënë për të filluar rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër, pas 48 orësh, në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll dhe të mos eskaloj.