Rekordmeni Ronaldo: E ardhmja ime është në Madrid

E publikuar: 01/10/2015 10:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

324 gola me fanellën e Realit të Madridit, një më shumë se legjenda Raul Gonzales. 501 finalizime në total në karrierën e tij dhe golashënuesi më i mirë i shekullit të 21-të. Shifrat flasin vetë, Cristiano Ronaldo është thjesht i paarritshëm dhe nëse merret parasysh se ka ende shumë vite për luajtur futboll rekordet e tij vështirë se do të thyhen. Nje rekord i tillë nuk është kaluar pa u vënë re nga shumë figura publike që lidhen me sportin dhe jo vetëm. Enrique Iglesias ka nxituar ta urojë portugezin në Twitterin e tij personal ndërsa Kombëtarja Portugeze dhe klubi i Manchester United i kanë dedikuar një shkrim 30-vjecarit. Teo Gutierrez i Sportingut të Lisbonës theksoi se sheh tek Ronaldo një shembull për t’u ndjekur, edhe Kryeredaktori i gazetës rivale të Madridit, El Mundo Deportivo, Quim Domenech përdori Twitterin për të lavdëruar CR7.

“Kur e vesha për herë të parë fanellën e Realit të Madridit nuk planifikova thyerjen e këtij rekordi. Sigurisht ditët e fundit e dija që po vinte momenti që kjo të ndodhte, por më të rëndësishme janë arritjet si ekip. Raul më dërgoi një mesazh dhe më uroi të shënoja edhe 300 gola më shumë. E di që e kishte me zemër”.

Ronaldo doli në një konferencë për shtyp gjashtë muaj pas paraqitjes së fundit para mediave, dhe arsyeja e një mungese të gjatë sipas 3 herë fituesit të Topit të Artë është kjo:

“Kanë folur të tjerët, në konferencë për shtyp nuk është e thënë që të dalin të njëjtët. Presidenti dhe drejtuesit e tjera të skuadrës kur nuk më kanë kërkuar që të dal në konferencë për shtyp. Unë gjithmonë komunikoj me mediat, por gjërat kanë ndryshuar”.

Për sa i përket të ardhmes, Ronaldo ka vetëm një qëllim, të fitojë gjithcka me Realin.

“E ardhmja ime është në Madrit. Ndihem shumë mirë këtu. Dëshiroj të fitoj sa më shumë trofe me këtë fanellë. E kam thënë më miliona herë, të ardhmes kurrë nuk i dihet. Të shohim se cfarë do të ndodhë. Këtu kam marrëdhënie të mira me të gjithë, me presidentin, trajnerët dhe të gjithë ata që punojnë për Realin. Unë jam profesionist dhe di si t’i krijoj marrëdhëniet.”

Në fund Ronaldo foli edhe për derbin me Atleticon, që do të luhet të Dielën.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sikurse ka qenë gjithmonë. Atletico është një ekip i madh. Ne jemi të përgatitur dhe po kalojmë një moment shumë pozitiv.”/supersport.al/