AKB dhe bizneset kërkojnë vazhdimin e mandatit të Bordit të Pavarur të Ankesave

E publikuar: 29/09/2015 14:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe komuniteti i biznesit kërkojnë riaktivizimin e Bordit të Pavarur të Ankesave.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, tha se AKB-ja ka vlerësuar se Bordi i Pavarur që nga pas lufta e këndej ishte një institucion i pavarur, i cili trajtoj mijëra lëndë kontestuese në mes bizneseve, ATK-së dhe doganave. Sipas saj, ky bord me punën e vet prefeksionoj ATK-në e Doganat dhe i disiplinoi që mos të ndëshkohen bizneset me paragjykime.

“Nga viti i kaluar Bordi i Pavarur nuk funksionon, kurse Doganat e Kosovëes dhe ATK- ja janë në rritje të ndëshkimeve ndaj bizneseve”, tha Lumnije Ajdini.

Ajo informoi se kërkesa për vazhdimin e mandatit të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave nga AKB-ja i janë adresuar tek kryetari i Kuvendit, tek kryeministri dhe ministrant përkatës të Kosovës.

Suat Berisha, nënkryetar i AKB-së, tha se gjatë periudhës korrik-shtator 2015, ka patur takime të vazhdueshme me komunitetit e biznesit në gjitha degët e veta në: Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë për të marrë opinionet e komunitetit të biznesit për të krijuar një klimë më të përshtatshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Si rezultat i këtyre takimeve ka ardh kërkesa për riaktivizmin e Bordi i Pavarur për Rishqyrtime.

Sipas tij bordi në të kaluarën ka dhënë kontributin e vet në ndarjen e drejtësisë mes palëve, por njëkohësisht ka prefeksionuar me këshilla dhe rekomandime edhe ATK-në e Doganat, njëkohësisht ka vetëdijësuar edhe bizneset me këto rekomandime që sa më pak të bien ndesh me rregulloret dhe ligjet aktuale të Kosovës.

“Për ne si AKB, është më se e domosdoshme riaktivizimi i një bordi të tillë, i cili do të ndihmonte edhe Administatat Tatimore, Doganat edhe Ministrinë e Financave”, tha Suat Berisha.

Nënkryetari i AKB-së, përkujtoi se Bordi i Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave, u krijua në bazë të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2000/20 mbi Procedurat dhe Administratës Tatimore dhe të Urdhëresës Administrative Nr.2000/7 mbi implementimin e Rregullores Nr.2000/20, duke vazhduar funksionimin e tij sipas Ligjit Nr. 2004/48 për Administratën Tatimore dhe Procedurat; Ligjit Nr.03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Ligjit Nr. 04/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-222 dhe Ligjit Nr. 04/L-223 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr.03/L-222, i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-102.

Sipas tij bordi në bazë të juridiksionit që ka pasur në bazë të ligjeve të cituara më lartë, ka funksionuar në periudhën kohore korrik 2002 deri me 31.12.2014.

“Bizneset shprehin shqetësimin e thellë të tyre për skadimin e mandatit ligjor të funksionimit të
bordit, respektivisht të shuarjes së tij si organ i shkallës se dytë të procedurës administrative dhe kalimi i përgjegjësive të këtij Bordi në Gjykatën Themelore-Departamenti Administrativ-Divizioni Fiskal”, tha Berisha. Ai tregoi se nga data 01.12.2012, të gjitha ankesat kundër vendimeve të ATK-së dhe të Doganës së Kosovës, i adresohen kësaj gjykate, ndërsa BPR-ja konform Ligjit Nr.04/L-102, është marrë me trajtimin e ankesave të parashtruara gjerë me 30 nëntor 2012, duke shqyrtuar dhe vendosur të gjitha lëndët e ankimuara brenda mandatit ligjor deri me 31.12.2014 konform nenit 25 të Ligjit Nr.04/L-223.

Sipas tij arsyeja e kërkesës për vazhdimin e mandatit të BPR-së, është se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative është në kundërshtim me Ligjin Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative, për arsye se ankesa si mjet i rregullt juridik në procedure administrative me ligjin e cituar garantohet në dy shkalle, dhe nuk ka pasur bazë ligjore që nga 1 janari 2013, Gjykata themelore të merr përgjegjësitë e Bordi, pasi që përgjegjësitë në dy shkallë të procedurës gjyqësore që ka pasur Gjykata Supreme e Kosovës konform LKA-së Nr.03/L-202, pas ndryshimeve ne sistemin gjyqësor nga 01 janari 2013, kanë kaluar në Gjykatë Themelore dhe në Gjykatë të Apelit.

Suat Berisha, tregoi edhe arsyen tjetër, që është ky bord dhe ka dëshmuar së është shumë më funksional, efikas, transparent dhe më profesional se sa gjykata. Kjo më së miri provohet me faktin deri sa në dy vitet e fundit (2013/2014) nga Bordi janë shqyrtuar dhe vendosur 1.835 ankesa të tatimpaguesve kundër vendimeve përfundimtare të ATK-së dhe DK-së, ndërsa për të njëjtën periudhë nga Gjykata Themelore-Departamenti Administrativ, janë trajtuar afro 50 ankesa të bizneseve, që dëshmon dallime të theksuara në shkallën e efikasitetit pa hy në vlerësime tjera të performancës profesionale, kur dihet se gjykatësit nuk kanë përvojën e duhur në fushën e kontesteve tatimore dhe doganore. Pastaj në seanca dëgjimore dhe në procesin e vendimmarrjes në Bord, ka vendosur një panel i profilizuar i eksperteve në përbërje prej tre anëtareve, ndërsa tani në Gjykatë Themelore-Departament Administrativ, vendosja bëhet vetëm nga një gjykatës. Në vend të bashkëpunëtoreve profesional Gjykata Themelore-Divizioni Fiskal, është duke angazhuar ekspert nga jashtë që po paguhen nga bizneset që paraqet shkelje flagrante të dispozitave të nenit 8 të Ligjit Nr.04/L-102 lidhur me nenin 81.A3 të Ligjit Nr.03/L-222.

Pos vlerësimit që jep biznesi për punën e BPR-së në ndarjen e drejtësisë, për ekspertizë të lartë profesionale të këtij institucioni të pavarur, vlerësimin e kanë dhënë në raportet e tyre edhe ekspertet e Komisionit Evropian, që kanë monitoruar seancat dëgjimore në tri vitet e fundit, ku për të gjeturat e tyre të funksionimit të BPR-së, ATK-së dhe Doganës së Kosovës, që ndërlidhen me ankesat e tatimpaguesve, kanë informuar institucionet e Kosovës, si dhe Brukselin.

Nënkryetari i AKB-së, tregon se numri i madh i ankesave të grumbulluara në gjykatë që presin të shqyrtohen, si dhe trendi me i lartë i numrit të parashtrimit të ankesave se sa mundësitë reale për dhënien e përgjigjeve, është indikacion i qartë dhe sinjal alarmues se do të kalojnë vite e vite deri sa do të kryhen dhe merren vendimet sipas ankesave të bizneseve, ku lëndët e pazgjidhura dhe mos marrja e përgjigjeve brenda afatit ligjor paraqesin shkelje serioze të parimeve të përcaktuara nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës. Andaj kthimi ligjor i mandatit të BPR-së si organ i shkallës së dytë i procedurës ankimore që garantohet me Ligjin Nr.02/L-028, me efikasitetin dhe profesionalizmin e dëshmuar do të reflektoj në mënyrë automatike në zvogëlimin e numrit të lëndëve që do të procedoheshin në gjykata.

“Pavarësisht pse bordi, ka kryer dhe vendosur të gjitha ankesat brenda mandatit ligjor, me shuarjen e tij, është cenuar një e drejtë tjetër e paraparë me dispozita ligjore për dhënien e përgjigjeve në padi-ankesa të kërkuara nga gjykata e Apelit për rastet e iniciuara nga palët e pakënaqura me aktvendimet e BPR-së, si dhe të përfaqësimit në seanca dëgjimore, ku mbajtja e tyre është obliguese sipas nenit 8 të Ligjit Nr.04/L-102, që fatkeqësisht një situate e këtillë nuk është parashikuar nga ligjdhënësi kur është marr vendimi për shuarjen e Bordit”, tha Berisha.

Sipas tij para hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 04/L-102, tatimpaguesve në procedurë administrative iu është garantuar e drejta e kontestimit të vlerësimit tatimor apo doganor në dy shkallë, edhe atë së pari brenda ATK-së në Departamentin e Ankesave apo DK në Sektorin e Rishqyrtimit të Vendimeve si shkallë e pare dhe në BPR si shkalle e dytë.

Në procedurë gjyqësore nga themelimi i bordit e deri me 31.12.2010, në bazë të LKA-së të KSAK si ligj i aplikueshëm, ndaj aktvendimit përfundimtar të organit të shkallës së dytë të BPR-së, ka mundur të iniciohet konflikti administrativ me padi administrative pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe ndaj aktgjykimit të formës se prerë të kësaj gjykatë nuk është lejuar ankesë, por pala e pakënaqur ka pasur të drejtë ligjore që përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike të parashtroj kërkesë Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative, nga 01 janari 2011 e deri me 31.tetor 2012, pala e pakënaqur me aktvendimin e formës së prere të BPR-së, ka pasur të drejtë ligjore ta kontestoje atë në dy shkallë pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, ashtu që së pari ka ekzistuar e drejta e inicimit të konfliktit administrativ me padi administrative drejtuar kolegjit të shkallës së parë, e i cili kolegj ka vendosur në seancë dëgjimore të hapur ku ftoheshin palët dhe personat e interesuar (neni 38 dhe 39 i Ligjit Nr.03/L-202), dhe më pastaj pala e pakënaqur me aktgjykimin e kolegjit të shkalës së parë ka pasur të drejtë ligjore që konform nenit 39.2 të Ligjit 03/L-202, në afatin prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës të parashtroj ankesë kolegjit të shkallës së dytë të së njëjtës gjykate, si dhe ndaj vendimit të formës së prere të kolegjit të shkallës së dytë të parashtrohet kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm apo kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Suat Berisha, shtoi se pas ndryshimeve ligjore dhe transformimit të sistemit gjyqësor, nga data 01.12.2012, në bazë të nenin 7 të Ligjit Nr. 04/L-102 lidhur me nenin 81.1 të Ligjit bazik Nr.03/L-222, është paraparë mundësia që ndaj aktvendimit përfundimtar të BPR-së të parashtrohet ankesë vetëm në një shkallë në Gjykatën e Apelit, dhe pse Ligji Nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative garanton ekzistimin e dy shkallëve të rregullta të procedurë gjyqësore, që do të thotë se Ligji Nr. 04/L-102, është në kolizion të drejtpërdrejte me Ligjin Nr.03/L-202, pasi që tatimpaguesve iu është cenuar një shkallë e procedurës gjyqësorë si mjet i rregullt juridik.

Me nenin 8 të Ligjit Nr.04/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr.03/L-222, duke filluar nga 1 janari 2013, Divizioni Fiskal pranë Gjykatës Themelore, merr përgjegjësinë e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, ku tatimpaguesve u mohohet e drejta e ankesës në shkallë të dyte në procedurë administrative e garantuar me Ligjin ne fuqi Nr. 02/L-28 dhe LPPA-së, si dhe me Rregulloren Nr.2000/20, Ligjin Nr.2004/48 dhe Ligjin Nr. 03/L-222, që paraqet cenim i së drejtës, sepse një e drejtë e procedurës administrative nuk është e logjikshme të zëvendësohet me procedurë gjyqësore, kur kemi të bëjmë me dy ligji të veçanta, ku para këtyre ndryshimeve janë garantuar dy shkallë në procedurë administrative dhe dy shkallë në procedurë gjyqësorë. Ndërsa, sipas nenit 4 të Ligjit Nr.04/L-102, BPR-ja ishte përgjegjëse për të pranuar dhe për të vendosur për gjitha ankesat e tatimpaguesve të parashtruara deri me 30 nëntor 2012.

Gjykata Themelore-Departamenti Administrativ Divizioni Fiskal, në fakt nuk i merr përgjegjësitë administrative të BPR-së, por sipas analogjisë i merr përgjegjësitë që ka pasur kolegji i shkallës së parë të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Gjykata e Apelit i merr përgjegjësitë e kolegjit të shkallës së dytë të Gjykatës Supreme, ndërsa BPR-ja me dispozitën e cituar shuhet si organ i shkalles së dytë të së drejtës ankimore në procedurë administrative, që garantohet si mjet i rregullt ankese me nenin 127, 129 dhe 132 të Ligjit Nr.02/L-28, si dhe me nenin 223 dhe 239 të LPPA-së (“Gazeta Zyrtare e RSFJ”, Nr.47/1986).

Praktikisht me vendimin për shuarjen e Bordit, tatimpaguesve iu është cenuar e drejta që ta kenë një organ të pavarur administrativ të shkallës së dytë, siç është garantuar kjo e drejtë ligjore para hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.04/L-102. Pastaj, shuarja e këtij Bordi është në kundërshtim me Ligjin Nr.02/L-28 për Procedurën Administrative dhe me LPPA-së, sepse me këto ligje në fuqi garantohen dy shkallë të procedurës administrative. Shume qartë me dispozita të cituara me lartë të Ligjit Nr.02/28, është paraparë ankimimi administrativ i cili mund të bëhet në formë të kërkesës për rishqyrtim që dorëzohet tek organi i cili e ka nxjerrë aktin administrativ ose në formë të ankesës që dorëzohet organit me të lartë, siç ishte në rastin konkret- Bordi (neni 129 i Ligjit Nr.02/L-028).

Derisa Kodi Doganor dhe i Akcizave në Kosovë Nr. 03/L-109, është në harmoni të plotë me Ligjin për Procedurën Administrative, ku ne nenin 291.5 thuhet: ”Kundër vendimit të sjellë sipas kërkesës për rishqyrtim pala ka të drejtën e ushtrimit të ankesës Bordit të pavarur për ankesa (në vazhdim të quajtur Bordi), i themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 2000/20”, në anën tjetër Ligji Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, është në kundërshtim me Ligjin Nr.02/L-28, sepse me nenin 77.2 të Ligjit Nr.03/L-222, është paraparë ankesë drejtuar Departamentit të Ankesave në vend që të ishte kërkesë për rishqyrtim. Andaj përmes amendamenteve mund të ndryshohet dhe plotësohet neni 77 i Ligjit Nr.03/L-222, ku ne vend të tekstit ku thuhet ankese të ndryshohet me tekstin kërkesë për rishqyrtim dhe në vend Departamenti i Ankesave të jetë Departamenti për Rishqyrtim të Vendimeve.

Nisur nga argumentet e mësipërme, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që përmes amendamenteve ligjore dhe të harmonizimit të ligjeve, të bëhet rikthimi i funksionit të mëparshëm të këtij Bordi, sepse dhe me LKA-së është e paraparë se konflikti administrativ mund të iniciohet ndaj aktvendimit përfundimtar të shkallës së dytë, ku në nenin 13.1 të Ligjit Nr.03/L-202, thuhet:-citat: ”Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë”. Pra rikthimi i mandatit të funksionimit të Bordit, do të eliminonte kontradiktat ne mes ligjeve dhe do të ishte në pajtim të plotë me LPA dhe LPPA-së, sepse ankesat si mjet i rregullt juridik janë parapare në dy shkallë të procedurës administrative. Njëkohësisht me rikthimin e funksionimit të Bordit, do të zvogëlohet dukshëm numri i lëndëve që do të procedoheshin në gjykata, do të kthehet siguria juridike e tatimpaguesve në bazë të besimit dhe imazhit që ka krijuar Bordi me punë profesionale, si dhe do të këtë impakt pozitiv për investitorët e jashtëm për të investuar në Kosovë.

Sa i takon inicimit të procedurës së konfliktit administrativ në gjykatë, ndaj aktit përfundimtar administrativ, në bazë të Ligjit Nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative si mjete të rregullta juridike parashihen dy shkallë në gjykata, dhe atë përmes padisë administrative drejtuar gjykatës kompetente në shkallë të parë, edhe e drejta e ankesës në shkallë të dytë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Kthimi eventual i mandatit ligjor të BPR-së do të reflekton dhe ndryshime të Ligjit Nr.04/L-102, Ligjit Nr. 04/L-223 dhe Ligjit Nr.04/L-099.
Si opsion i mundshëm i kthimit të mandatit ligjor të Bordit përmes amendamenteve pa ndryshuar Ligjin mbi Gjykatat, do të ishte zgjidhja që kundër aktvendimit përfundimtar të Bordit të iniciohet konflikti administrativ me padi administrative në Gjykatë Themelore-Departamenti Administrativ-Divizioni Fiskal, me mundësinë që edhe të gjitha lëndët e pa shqyrtuara nga Gjykata Themelore-Divizioni Fiskal t’i barten Bordit, ose lëndët e pa trajtuara të vendosen nga Gjykata Themelore, kurse Bordi të merret me ankesa të reja nga data e hyrjes së ligjit ne fuqi për vazhdimin e mandatit. Më pastaj ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore-Divizioni Fiskal, pala e pakënaqur të ketë drejtë ankesë në Gjykatë të Apelit, dhe e drejta ligjore përmes mjeteve të jashtëzakonshme në Gjykatë Supreme.

“AKB-ja, ka vlerësuar punën e këtij Bordi si shumë produktiv për të zgjedh kontestet në një kohë optimale dhe kështu ka ardh deri te zgjedhjet më te shpejta se sa me gjykatat të cilat tashmë dihet se janë të stërngarkuara me lëndë të shumta, kurse kontestet e komunitetit të biznesit duhet të trajtohen në një afat sa më të shkurt”, tha nënkryetari i AKB-së.

Suat Berisha, shtoi se AKB-ja, kërkon edhe njëherë nga institucionet shtetërore të Kosovës që të gjejnë bashkërisht një modalitet i cili do të kënaq edhe kërkesat e komunitetit të Biznesit, por edhe do të perfeksionon me tutje Administratën Tatimore dhe Doganore, por edhe vet komunitetin e biznesit.

AKB-ja, këtë kërkesë do ta ngrit si pikë të veçantë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ne mbledhjen e radhës dhe është e gatshme te jep kontribut në këtë konstituim dhe rifunksionalizmin të këtij Bordi, thuhet ne komunikatën për media te AKB-së.