Menjëherë pas lindjes së djalit, të cilën e cilësoi “ndjenjën më të bukur të jetës”, Lorik Cana përqendrohet te impenjimet në karrierën si futbollist. Fundjava rezervon një tjetër emocion për kapitenin e Kombëtares, që do të përballet me të kaluarën. Të shtunën, Nantes do të presë në shtëpi kryesuesit e Paris Saint Germain. 32-vjeçari nuk i harron kohët e kaluara në “Parc des Princes”, por siguron se në sfidën që hap javën e tetë të Ligue 1 vlen vetëm fitorja.
“PSG ishte klubi im i parë. Aty u rrita, luajta si profesionist, fitova trofeun tim të parë dhe më dha mundësinë të provoja emocionet e Champions League. Mbetet ende një klub i veçantë për mua, edhe pse skuadra e tanishme ka mjaft ndryshime nga ajo ku unë u rrita. Sa herë që përballem me PSG-në kërkoj të fitoj. Kjo do të ndodhë edhe tani që mbroj ngjyrat e Nantes, pavarësisht se ata janë favoritë për titullin”.
Mbrojtësi shqiptar bëri edhe krahasimin ndërmjet gjendjes aktuale të Paris Saint Germain dhe ekipit ku ai u aktivizua nga viti 2002 deri më 2005-ën.
“Skuadra e sotme është më e fort se në ditët e mia. Në atë periudhë kishim ambicie të mëdha dhe arritëm të luanim në Champions League. Parisit iu nevojit shumë kohë të rikthehej në këtë aktivitet. Skuadra e tanishme është një shkallë më lart dhe synon të jetë protagoniste në arenën ndërkombëtare. Ata kanë disa prej lojtarëve më të mirë në botë për pozicionet e tyre”.
Nantes paraqitet në sfidën me Paris Saint Germain pas tre humbjeve radhazi në kampionat dhe renditet e 17-ta me 7 pikë të grumbulluara.