Gjendja e rëndë ekonomike zbeh festat në Kosovë

E publikuar: 25/09/2015 09:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Festat në përgjithësi sjellin gëzim dhe lumturi te të gjithë njerëzit, ku secili nga ne e përjeton një ndjesi të veçantë, momente të paharruara, takim me më të dashurit, shkëmbime urimesh, por mbi të gjitha ato arrijnë të përçojnë një mesazh solidariteti dhe humaniteti te besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë, që të jenë në gjendje të ndihmojnë skamnorët dhe njerëzit në nevojë.
Mirëpo, jo të gjithë në Kosovë kishin mundësi ta përjetojnë gëzimin dhe ngrohtësinë që sjell Festa e Kurban Bajramit.

Donika, e cila së bashku me fëmijën e saj, për dallim nga shumica e qytetarëve sot kishte zgjedhur që ditën e Bajramit ta kalonte duke kërkuar lëmoshë në sheshin “Nënë Tereza”, jo për shkak të dëshirës dhe vullnetit të saj, por për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të cilat e kanë detyruar atë të kërkojë lëmoshë për ta siguruar bukën e gojës.

Është një ndër rastet dhe jo vetëm ku në mungesë të kushteve ekonomike është e pamundur që të festohet në mënyrë të dinjitetshme, shkruan “Zëri”.

Gjendja e rëndë sociale, por edhe ajo ekonomike në të cilën ndodhën qytetarët e vendit ka arritur të zbehë edhe festat fetare, të cilat për dallim nga çdo gjë tjetër në Kosovë vazhdojnë të mbajnë ndezur kandilin e shpresës në zemrat e besimtarëve për një të ardhme më të mirë.

Urimi dhe dëshira e secilit besimtar në ditën e Kurban Bajramit ishte që festat e ardhshme të na gjejnë me një mirëqenie më të mirë, ku secili do të ketë mundësi të festojë në lumturi dhe në harmoni me familjen dhe të afërmit e vet. /ZËRI