Skënderbeu nuk ndalet. Kampionët mposhtën 2-1 Tiranën në një përballje spektakli që justifikoi gjithë pritshmëritë. Emocione, lojë intensive dhe adrenalinë pa fund në stadiumin e Korcës por në fund feston Skënderbeu që rimer kreun e renditjes me pikë të plota falë një përmbysjeje kampionësh me Tiranën që pas një ndeshje mjaft të mirë ndëshkohet nga bujaria, jo ajo tradicionale e kryeqytetasve por shpërdorimet para porte.
Mirel Josa ndryshonte modul duke i besuar 4-4-2 me Salihin e Olyainkën në sulm, rikthehej Teqja në 4-2-3-1 bardheblu ku Gilman Lika, Fukiu e Elis Bakaj mbështetnin Xhilberton. Kryesfida e javës së 4-ët nisi me Tiranën që pati fillimin më të mirë që mund të kishte ëndërruar.
Bardheblutë në avantazh pas vetëm 2 minutash me Fukuin të gjendur në pozicion të rregullt që shënon me kokë. 1-0 për Tiranën që feston dhe japonezi pas vetëm dy minutash kishte një shans të artë për të dyfishuar në një kundërsulm të bardhebluve por Fukui mes dy mundësive për të pasuar te Bakaj apo tentuar portën nuk bëri asnjërën. Padyshim interesant dueli anës fushës mes dy trajnerëve Josa dhe Muca, dikur shokë skuadre me Tiranën e madhe të viteve 80. Brenda kuadratit grintë dhe reagim kampionësh nga Skënderbeu, mundësi e shkëlqyer në minutën e 20 për Liridon Latifin por Frashëri është gati për të grushtuar. Në minutën e 25 moment për të admiruar klasin e Berishës që shpik vetë një supergol nga asgjëja.
Fantastik futbollisti nga Peja në këtë goditje me Frashërin që vetëm sa mund të preke me majat e gishtave topin që shkon në rrjetë. Gjithshka rinis nga e para, ndizet stadiumi. Skënderbeu bëhet zot i fushës në qarkullimin e topit, ndërsa për të kuptuar me sa grintë luhet, mjafton të shohësh Jashanicën që ngjason më shumë si një Ferrari që del nga pista. Pjesa e parë mbyllet me një mundësi të mirë për Tiranën por goditja e Fukuit në krosimin e Likës është jashtë dhe skuadrat shkojnë në ekuilibër në dhomat e zhveshjes. Spektakli dominon edhe pjesën e dytë. Në minutën e 55 Gilberto lëshon një silurë që përfundon sipër traversës së Shehit, ndërsa 5 minuta më pas në një krosim të Smajlit Bakaj mund të kishte provuar edhe portën por ul topin në qendër të zonës ku nuk ndodhet askush për të shfrytëzuar asistin e tij.
Shpërdoron në të 63 në krahun tjetër edhe Olyainka që con në tribunën e tifozëve një mundësi të artë për të shënuar. Muca ndryshon në të 67 duke hequr nga fushë Xhilberton për një mesfushor, Hoxhallarin me Bakajn që spostohet në qendër të sulmit megjithatë mundësia e rradhës është për Fukuin që shpërdoron një rast të mirë. Për tu ngushëlluar mund të shohë se si në minutën e 71 gabon me kokë edhe një snajper si Salihi. Në të 79 tjetër goditje klasi nga Berisha me topin që puth traversën dhe Progni nuk arrin ta shfrytëzojë në rikthim pak hapa larg vijës fatale. Ritëm i shfrenuar dhe Tirana ka të gjitha shansert për të dyfishuar në një kundëzbritje të minutës së 83 Fukiu për Gilman Likën dhe është e pabesueshme goditja e shkodranit. Menjëherë më pas në komentin e ndeshjes në Supersport, Ylli Aga ka rastin për të kujtuar ligjin e futbollit.
Një ligj i pamëshirshëm, 2-1 për Skënderbeun me Prognin që ndëshkon Tiranën që provon të reagojë në minutat e mbetura por pa mundur më të ndryshojë asgjë. Skënderbeu rregjistron fitoren e katërt, ndërsa Tirana shikon që tani veten të shkëputur 7 pikë nga kreu./supersport/