Eurobasket, hap dyert për çerekfinalet

E publikuar: 14/09/2015 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kampionati i 39 Evropian i basketbollit për meshkuj bëhet gati për fazën përmbyllëse dhe skuadrat e mbetura tashmë janë të ndërgjegjshme se nevojiten edhe tre ndeshje për të fituar trofeun më të rëndësishëm kontinental, në rang përfaqësuesesh. Ndeshjet cerekfinale si zakonisht janë ndarë në dy ditë, të martën dhe të mërkurën, ndërsa dy takimet e fazës gjysmëfinale do të luhen edhe këto të ndarë, të enjten dhe të premten. Tre janë ekipet që kanë mbërritur deri në cerekfinale pa pësuar humbje: Franca, Greqia dhe Serbia sidoqoftë dy skuadrat e para janë bashkë në pjesën e sipërme të shortit ndërsa Serbia ndihet e privilegjuar që është në pjesën e poshtme me skuadra të tilla si Lituania dhe Italia. Franca konsiderohet si favorite për shkak se këtë aktivitet e zhvillon në shtëpi, megjithatë në këtë sport asnjëherë nuk mund të flitet me siguri, madje edhe vetë faza e 1/8 e konfirmoi më së miri një gjë të tillë, pasi Letonia mundi Slloveninë, Republika Ceke shkatërroi me plot 21 pikë Kroacinë, ndërsa Lituania ndonëse u paraqit me statusin e nënkampiones në fuqi shpëtoi për mrekulli në sekondat e fundit të takimit me Gjeorgjinë, falë një koshi nga jashtë harkut të basketbollistit të Realit të Madridit Jonas Maciulis.

Ndeshja hapëse e kësaj faze pritet të jetë tepër emocionuese teksa në orën 18:30 do të vihen përballë njëra – tjetrës Spanja me Greqinë. Iberikët kanë fituar 2 nga 3 edicionet e fundit të këtij aktiviteti, ndërsa 2 vjet më parë në evropianin e luajtur në Slloveni u eliminuan pikërisht nga skuadra që më pas fitoi titullin, Franca. Spanja i ka besuar sërish trajnerit italian Sergio Scariolo dhe lider i ekipit mbetet përsëri kapiteni Pau Gasol, ndërsa përfaqësuesja helene e udhëhequr nga Nikos Zisis do të bëj cmos për t’u kualifikuar për herë të parë pas gjashtë vjetësh në fazën gjysmëfinale. Përballja e tyre e fundit është regjistruar në evropianin e kaluar në fazën e dytë të grupeve, ku helenët fituan 79 – 75 duke përmbysur një disavantazh prej 12 pikësh gjithsesi do të përsëritet pak a shumë e njëjta situatë, me sulmin shumë të fortë të spanjollëve përballë mbrojtjes së hekurt të skuadrës greke.

Në orën 21:00 në Stadiumin e Lilës Pierre – Mauroy vendasit të përkrahur nga publiku i tyre i zjarrtë, që pritet të shkojë deri në 27.000 vetë kanë një rast të shkëlqyer për t’u kualifikuar mes katër më të mirëve të këtij kompeticioni. Ekipi i Vincet Collet i udhëhequr nga Tony Parker nuk pritet të ketë probleme ndaj Letonisë. Kampionët në fuqi numërojnë plot 6 basketbollistë të NBA në gjirin e tyre dhe objektivi minimal i kësaj skuadre është të sigurojë finalen e tretë radhazi në këtë aktivitet. Dy cerekfinalet e tjera do të luhen ditën e mërkurë, e fillimisht do të zbresin në parket basketbollistët e Sasha Djordjevic të cilët do të masin forcat me Republikën Ceke. Në orën 18:30 që të gjithë prisnin një përballje të zjarrtë ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë megjithatë cekët dhuruan surprizën më të madhe të këtij edicioni duke eliminuar në mënyrë të papritur ekipin e Velimir Perasovic. Dikur Cekosllovakia ishte një ndër skuadrat më në zë të kontinentit, madje tre dekada më parë, në vitin 1985 është hera e fundit kur ky vend shkoi deri në finale, e shtata në histori, duke patur parasysh që titullin e vetëm kontinental e kanë fituar në vitin e largët 1946.

Diferencat mes dy skuadrave janë shumë të mëdha dhe trajneri Aleksandar Djordjevic do të bëj cmos për të alternuar sa më mirë lojtarët, në mënyrë që ekipi të shkojë sa më i shplodhur në fazën gjysmëfinale. Takimi përmbyllës i kësaj faze do të luhet ndërmjet Italisë dhe Lituanisë dhe duke parë formën e ndryshme që kanë shfaqur këto dy skuadra ekipi i Pianigianit është favorit për t’u kualifikuar për herë të parë pas 12 vjetësh në gjysmëfinale. Skuadra Balltike ka fituar tre përballjet e fundit, por kurioz është fakti që ndeshja e fundit ndërmjet tyre është regjistruar në evropianin e mbajtur në Slloveni, pikërisht në fazën cerekfinale, ku ekipi i Jonas Kazlauskas fitoi me vetëm 4 pikë diferencë, sidoqoftë këtë herë Lituania është shfaqur shumë ndryshe dhe duke lënë mënjanë derbin me Letoninë në të gjitha ndeshjet e tjera nënkampionët në fuqi kanë vuajtur ndjeshëm për të fituar ndeshjet./ss/