Të papunët në Kosovë jo çdoherë janë të interesuar të punojnë. Disa kompani prodhuese në Kosovë po kanë mjaft probleme për gjetjen e punëtorëve.
Ata tregojnë se të papunët nuk po shprehin interesim të punojnë, kur ato kompani hapin vende të reja pune.
Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se Kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, kaprobleme të vazhdueshme për gjetjen e punëtorëvepër të punuar në vreshtari.
Por, të papunët në Kosovë, përveç vreshtarisë që nuk duan të punojnë, ata hezitojnë të punojnë edhe në vjeljen e patateve.
Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, në Vushtrri, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e patates, tregon për Radion Evropa e Lirë se si shumë të papunë kanë hezituar të vijnë të punojnë në vjeljen e patateve.
“Njerëzit ankohen se nuk ka punë, por e vërteta është se të gjithë ne po kemi problem të sigurojmë punëtorë. Problemin më të madh e kemi me punëtorët sezonal për vjeljen e patates. Atëherë kur neve na duhen punëtorë, ne nuk jemi duke gjetur punëtorë, edhe pse i kanë pagat shumë të mira, 450 euro, dhe dy herë në ditë kanë ushqim. Unë vetë e kam punuar këtë punë, nuk është punë e vështirë”, tregon Kosumi.
Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare gjatë viteve të fundit.
Të dhënat zyrtare tregojnë së nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.
Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, me 35.5 për qind, pasuar nga Bosnje dhe Hercegovina me 27.5 për qind, Serbia me 18.9 për qind, Mali i Zi me 18.0 për qind dhe Shqipëria me 17.9 për qind.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se mbi 150 mijë është numri i punëkërkuesve të pakualifikuar, mbi 77 mijë i atyre me shkollë të mesme, ndërkaq të kualifikuar janë 22 mijë dhe me arsimim të lartë 6,840 punëkërkues.
Përveç asaj që kompanitë kanë probleme për gjetjen e punëtorëve, ata tregojnë se kanë probleme edhe me punëtorët, që kanë arsimim të lartë, e të cilët nuk janë të përgatitur mirë për punë.
Bedri Kosumi tregon se kur kanë punësuar punëtorë në kompani, shumë prej tyre nuk kanë qenë të përgatitur, iu kanë munguar njohuritë për kryerjen e punës për të cilën janë punësuar.
“Ne gjithmonë thirremi në atë se jemi vendi me gjeneratën më të re të shkolluar, (të rinj) që flasin shumë gjuhë, por jam i obliguar të them të vërtetën. Në pikat kyçe të kompanisë ne i trajtojmë njerëzit ndoshta deri edhe në një vit”.
“Me shumë vështirësi kemi arritur që tani ta kemi një staf të përgatitur mirë. Megjithatë, fatkeqësisht më duhet të them që kemi njerëz, të cilët kanë shkollim superior të kryer, por që nuk janë të përgatitur për tregun e punës”, thekson Kosumi.
Një hall të madh me punëtorët e papërgatitur mirë për tregun e punës, e kishin paraqitur edhe investitorët e huaj, të ardhur në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se investitorët e huaj po kanë problem për gjetjen e punëtorëve të kualifikuar.
Përveç tjerash, ai kishte theksuar se institucionet arsimore në Kosovë po përgatisin fuqi punëtore, e cila nuk është adekuate për kërkesat e tregut të punës.
“Kurdo që rritet vëllimi i investimeve të huaja, kjo fuqi punëtore nuk do të jetë në gjendje t’i plotësojë kërkesat e investitorëve të huaj. Pra, një prej vërejtjeve kryesore të investitorëve të huaj është se në Kosovë tregu i punës nuk ofron shkathtësitë e duhura që kërkohen nga ana e këtyre investitorëve të huaj”,kishte theksuar Zeka, transmeton rel.
Edhe njohës të çështjeve të arsimit në Kosovë, vazhdimisht kanë potencuar se studentët në Kosovë po dalin të papërgatitur për tregun e punës. Derisa kishin kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të marrin masa urgjente në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.