40 milionë Euro. Kjo është shumë që Bayern Muenchen derdhi në llogarinë e Juventusit për ta transferuar në “Allianz Arena” mesfushorin kampion të Amerikës së Jugut, Arturo Vidal. Kiliani e pranon se merkatoja ka filluar të lëvizë në mënyrë të çmendur me shuma marramendëse dhe kostot që shpenzohen për kartonët, i vendosin nën presion vetë lojtarët që shuma të tilla mund t’i justifikojnë vetëm nëse shënojnë diaa gola në çdo ndeshje.
“Rregullat financiare të transferimeve në ditët e sotme nuk janë normale. Një lojtar duhet të shënojë 3 ose 4 gola në çdo ndeshje për të justifikuar shumën me të cilën është blerë. Në këndvështrimin tim lojtarët duhet të kushtojnë më pak”.
Të shtunën 28-vjeçari do të sfidojë ish skuadrën e tij, Bayer Leverkusen. Ndaj “Aspirinave” ai shpreh vetëm mirënjohje pasi ishte ajo skuadra që e ndihmoi të bënte hapin cilësor duke e blerë disa vite më parë nga Colo Colo.
“Do të jetë një sfidë e veçantë për mua sepse Leverkuseni më dha mundësinë e artë për të luajtur në Europë. Gjithsesi, unë shpresoj që të ndihmoj Bayernin e Mynihut të shpallet kampion gjatë këtij sezoni”.
Me kampionët e Gjermanisë, Vidal numëron 2 ndeshje zyrtare si titullar në kampionat, atë ndaj Hamburgut në sfidën hapëse dhe në transfertën e Hoffenhaim ku skuadra e Guardiolës vuajti gjatë 90 minutave për të siguruar fitoren e dytë.