Ka nisur gjykimi ndaj 11 inspektorëve të Komunës së Prishtinës

E publikuar: 25/08/2015 11:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka nisur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjykimi i grupit të inspektorëve të Komunës së Prishtinës.

Të 11 ish- zyrtarët e Komunës së Prishtinës dyshohen për dallavere me lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për vepra penale që ndërlidhen me ndërtimet kundërligjore, kundër njëmbëdhjetë personave, prej tyre dhjetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një pronar i një kompanie private.

Bëhet fjalë për kryeinspektorin Ismet Haliti, 8 inspektorë të ndërtimit: Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Granit Cenaj.

Këta akuzohen për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kundër një pronari të një kompanie private për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës dhjetë të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal, të cilët kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës janar 2010 – mars 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, ashtu që nuk i kanë i parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit.

Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 €.

Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur është konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VW Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VW Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €.

Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VW Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3m2.