Arritja e një marrëveshjeje me Bashkinë e Kukësit për zhvillimin në Zeqir Ymeri të ndeshjes me Bylisin shihet si një armë plus në kampin verilindor. Me mbeshtetjen e tifozëve do të jetë edhe më e lehtë për të marrë maksimumin e pikëve ndaj Bylisit, që vetëm pas një viti në kategorinë e parë, rikthehet mes më të mirave të futbollit shqiptar. Sipas mbrojtësit të krahut të majtë, Gledi Mici, Kukësi është gati për ta nisur me këmbën e mbërë kampionatin, që për nënkampionët e Shqipërisë është i katërti radhazi në kategorinë superiore.
“Vijmë pas një ecurie do të thosha pozitive në Europa League dhe ndihemi gati për startin e sezonit. Do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë në Kukës, kështu që besoj se do ta nisim më mbarë ndaj Bylisit”.
Paraqitjet mjaft pozitive në Europa League e kanë konfirmuar titullar 24-vjecarin në formacionin e Troisit, i cili në fazën sulmuese u beson cilësive të brazialianëve.
“Në aspektin personal ndihem në formë dhe shpresoj të jap kontributin tim në obvjektivat e skuadrës. janë bërë disa ndryshime por kemi treguar se jemi lidhur si grup”.
Pavarësisht ndryshimeve të shumta në organikë, sipas Micit Kukësi mbetet një rival i fortë për të dy trofetë sezonale.
“Objektivat e Kukësit dihen, janë të dy trofetë, kampionati dhe Kupa. Skuadra nuk ka mundur t’i fitojë sezonet e fundit, por shpresoj se ka ardhur momenti që t’i shijojë edhe trofetë.”
Në seancën e fundit stërvitore, binte në sy mungesa e Renato Malotës për arsye shëndetësore, por Troisi do të vendosë në momentin e fundit për lojtarin që do të luajë përkrah Shametit në qendër të mbrojtjes.