Skënderbeu nuk arrin të bëjë festë në “Elbasan Arena” pasi u mund 2-1 nga Dinamo e Zagrebit, pas një goli fantastik në fund të Pivaricit, por gjithsesi korcarët luajtën një ndeshje të denjë për një skuadër kampione, përballë klubit më të fortë në Ballkan. Një gol i jashtëzakonshëm i Bledi Shkëmbit, në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij, nuk mjaftoi për t’i dhënë Skënderbeut fitoren, pasi Dinamo shënoi dy herë në pjesën e dytë me dy gola po aq të jashtëzakonshëm, por të ndërtuar nga skuadra më shumë se nga individi. Një 2-1, që i rri ngushtë Skënderbeut, që u përpoq të luante si i barabartë me Dinamon dhe ja doli për një pjesë të mirë të lojës por në fund u dorëzua përballë një skuadre, me një buxhet dhjetëra herë më të madh se ajo. Nën një atmosferë të jashtëzakonshme, Skënderbeu zbriti në fushë i përkrahur nga më shumë se 14 mijë spektatorë në “Elbasan Arena” por dhe me gjithë sytë dhe mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, që përkrahnin skuadrën e tyre kampione. Josa nuk dhuroi surpriza në formacion, ashti si dhe Mamic. Fillimi i sfidës ishte sipas logjikës, me Dinamon më kërkues e Skënderbeun të kujdesshëm prapa, në kërkim të shfrytëzimit të zbritjes së duhur për të goditur. Sic ishte rasti i minutës së 22-të, kur Berisha mori me radhë mbrojtësit kroatë, përpara se të linte topin pas për goditjen e Shkëmbit, që finalizimin e duhur duket se e kishte ruajtur për minutën e 37-të, kur realizoi golin më të rëndësishëm të karrierës së tij por dhe një prej më të bukurve. Përgjigja e Dinamos së Zagrebit ishte e menjëhershme që në minutën e 43-të me Hodzic që nuk gjeti devijimin e duhur drejt portës. Ndërsa pak caste më pas Hodzic u shfaq i vetëm përballë Shehit, por portieri i korcarëve reagoi në kohën e duhur. 1-0 u mbyll pjesa e parë ndërsa në fillimin e së dytës, Skënderbeu i ngrohur dhe nga përkrahja e tifozëve pa më shumë drejt portës. Latifi, një prej më të mirëve goditi portën në të 51-tën, por gjeti përgjigjen e portierit mik, ndërsa në të 53-tën, Salihi u ndal vetëm nga një pozicion jashtë loje inekzistent. Momenti i mirë i Skënderbeut vazhdoi dhe me Berishën që në të 62-tën, hyri sërish mirë në zonë, por në castin e fundit pa topin t’i shkëputej nga këmbët duke i dhënë rivënien fundore kroatëve. Gjithsesi, Dinamo e Zagrebit mbetet një skuadër e madhe dhe këtë e tregoi në minutën e 66-të, kur pas një aksioni me pasime të shpejta, Pjaca shërbeu për Sudanin që me portën bosh realizoi golin e barazimit. Goli i dha siguri miqve dhe mbi të gjitha Pjacës, që në të 75-tën, realizoi një aksion personal për t’u mbajtur mend, ashtu si dhe pritja e Shehit. Korcarët u përgjigjën në të 79-tën me Nimagën që nuk kishte shënjestrën e duhur në hyrje të zonës, ndërsa në të 83-tën, Dinamo Zagrebit goditi dhe shtyllën. Kroatët treguan se janë një skuadër me përvojë dhe në minutën e 3-të të kohës shtesë shënuan dhe golin e fitores me Pivaricin, që lë pak shpresë për Skënderbeun, për një kualifikim të mundshëm edhe pse aventura e tyre në Europë gjithasesi do të vazhdojë pavarsisht rezultatit që do të regjistrohet në Zagreb./ss/