Mamic: Respekt për kundërshtarin, por besojmë tek fitorja

E publikuar: 18/08/2015 22:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një orë pas konferencës për shtyp të trajnerit të Skënderbeut Mirel Josa në sallën e konferencës për shtyp në stadiumin Elbasan Arena zbret trajneri i Dinamos së Zagrebit Zoran Mamic. Që në fillim të fjalës së tij numri një i stolit të kampionëve të Kroacisë tregon respekt për kundërshtarin por edhe bindjen në forcën e skuadrës së tij.

“Më vjen mirë që jam në këtë fazë për të tentuar grupet e Champions League dhe shpresoj të realizohet. Na pret një ndeshje e fortë. E respektojmë ekipin e Skënderbeut pasi është një kundërshtar me kualitete. Por ne besojmë tek loja jonë. Ne kudo shkojmë për të fituar dhe këtë do të bëjmë edhe këtu. Jemi ekip me kualitete dhe besojmë tek kualifikimi. Do jenë dy ndeshje të forta dhe duhet të tregojmë forcën tonë.”

Zoran Mamic tregon se e ka studiuar kundërshtarin, duke evidentuar se në finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Lacit luante me vetëm dy titullarë. Gjithashtu 44 vjecari tregon dhe pikat më të forta të kampionëve tanë.

“E njoh Skënderbeun pavarësisht se ndaj Lacit luajti me vetëm dy titullarë. Kemi parë ndeshjet e Skënderbeut dhe kemi marë informacione nga njerëzit tanë. Lojtarët më të mirë janë sulmuesi Salihi, mesfushori Berisha dhe kapiteni Shkëmbi.”

Me skuadrën e Dinamos së Zagrebit aktivizohet edhe sulmuesi i shpresave të Shqipërisë Endri Cekici. A do të rezervojë Mamic një vend për të në formacion ndaj Skënderbeut?

“Cekici është pjesë e skuadrës dhe do ta shohim përpara ndeshjes nëse do të luajë”.