Procredit Bank vazhdon me largimin masiv të punëtorëve të saj. Madje, në shumë raste pa respektuar as kontratat e as Ligjin e Punës.
Burime të Gazetës Blic brenda Procredit Bankës kanë bërë të ditur se javëve të fundit janë larguar dhjetëra punëtorë nëpër degë të ndryshme të kësaj banke.
“Në shumicën e rasteve, punëtorët janë larguar duke mos respektuar as Ligjin e Punës”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, pritet që muajve të ardhëm të ketë largime të reja.
Procredit Banka edhe para disa muajsh kishte larguar një numër të madh të punëtorëve, madje në shumë raste as pa i paralajmëruar ashtu siç edhe e parashikon Ligji i Punës.
Gazeta Blic e ka kontaktuar zëdhënësen e kësaj Banke, Albena Çarkaxhiun, e cila ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim. Mirëpo, menaxhmenti i kësaj banke, shkakton skandalin e radhës. Jo që nuk përgjigjet në pyetjet e dërguara më datë 13 gusht, por kthen si përgjigje një kumtesë për medie të lëshuar nga kjo bankë më datë 7 gusht, pra të para një jave.
Gazeta Blic, për hir të lexuesve të saj dhe për hir të korrektësisë, do t’i publikoj pyetjet që ia ka nisur Procredit Bankës, dhe kumtesën e lëshuar për medie nga kjo bankë, një javë para se t’i dërgoheshin pyetjet.
Këto janë pyetjet e Gazetës Blic dërguar me datë 13.08.2015:
-
Kemi informacione se gjatë muajve të fundit Procredit Bank i ka larguar edhe dhjetëra punëtorë nga puna. A mund të na jepni numrin e saktë të punëtorëve që i keni larguar gjatë pjesës së parë të këtij viti?
-
Mbi çfarë baze i keni larguar këta punëtorë?
-
Sipas informatave që i posedojmë, shumë punëtorë janë larguar në kundërshtim me ligjin, pa i paralajmëruar dhe pa e respektuar as kontratën, apo Ligjin e Punës?
Këtu ndërkaq, e gjeni kumtesën e tyre, të dërguar në vend të pyetjeve:
Njoftim
Prishtinë, 07 Gusht 2015
“Stabilitet dhe perfomancë e kënaqshme afariste e bankës ProCredit në Kosovë; Raportohet për ristrukturim procesesh të brendshme, investim në infrastrukturë teknologjike dhe përforcim të mëtutjeshëm të kualifikimit të stafit”
Prishtinë, 07 Gusht 2015 – Banka ProCredit sapo ka publikuar rezultatet financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultate këto që përmbushin pritshmërit tona duke përforcuar tutje pozitën e të qenit një ndër institucionet më të fuqishme, më stabile dhe më inovative në industrinë bankare. Ne ruajtëm pozitën udhëheqëse në sektorin bankar me 26% të aseteve totale dhe një pjesëmarrje tregu prej 24% në kredi bruto dhe 26.4% në depozita. Asetet e përgjithshme në fund të Qershorit 2015 janë 780 milionë euro. Depozitat e klientëve kanë dëshmuar sërish besueshmërinë e lartë të qytetarëve të Kosovës në bankën tonë – ku totali i depozitave në fund të Qershorit 2015 arriti shumën prej 663 milionë euro.
Në ofrimin e shërbimeve financiare për klientët e biznesit, banka ProCredit vazhdon të jetë e pozicionuar mirë dhe ka vazhduar të fuqizoj edhe me tej pozitën e saj udhëheqëse duke ofruar shërbime inovative për klientët e biznesit, siç janë shërbimet depozituese në Zonat 24/7. Si bankë, ne synojmë të jemi zgjedhje e parë për klientët e biznesit ku total portofolio e kredive në bankën ProCredit në Qershor të vitit 2015 arriti shumën prej 458 milionë euro.
Si bankë me vizion afatgjatë, ne e shohim rolin tonë si drejtues të zhvillimit të sektorit bankar në Kosovë duke përkrahur, në njërën anë, kërkesat e klientëve tanë përmes shërbimeve të mirëfillta këshilluese bankare nga këshilltarët tanë të klientëve të cilët janë mirë të trajnuar dhe në anën tjetër duke ofruar një infrastrukturë moderne të bankimit në lidhje me transaksionet e keshit;
Tutje, për të avancuar përvojën e klientëve me bankën si dhe të rrisim edhe më tej efikasitetin operacional, ne kemi përdorë teknologjitë më bashkëkohore, të krahasueshme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore dhe kemi integruar ato me intensitet dhe shpejtësi në rrjetin tonë të degëve. Për më shumë, jemi të bindur që zhvillimi digjital dhe teknologjikë është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës së biznesit;
“Në botën e sotme teknologjike, ndryshimi është një faktor konstant; Klientët janë duke përdorur një gamë të gjerë të kanaleve për nevojat e tyre bankare. E gjithë çfarë duan ata është që të ketë një bankim sa më të përshtatshëm, më të shpejtë, të lehtë dhe më të sigurt. Sot, më shumë se 80 % e transaksioneve të përgjithshme bankare në bankën tonë bëhen përmes kanaleve elektronike të bankimit. Një situatë e tillë i jep bankës tonë mundësi që të avancojë edhe më tej shërbimet këshillëdhënës në degët e saja.
Në përputhje me këto trende, fokusi bankës është orientuar drejt investimeve në teknologjinë elektronike bankare, siç është avancimi i e-banking, një platformë gjithëpërfshirëse e bankimit online, lansimi i Zonave 24/7, një koncept ky krejtësisht i ri për tregun bankar të Kosovë, që kanë ardhur si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të klientëve tanë që të kenë qasje në shërbimet bankare 24/7” – është thënë nga zyrtarët e bankës.
Paralelisht me avancimin teknologjikë, Bordi i Drejtorëve të bankës ProCredit Kosovë në mbledhjen e fundit të mbajtur në Frankfurt Am Main në Gjermani, ka konfirmuar vendimin për ristrukturim të rrjetit të degëve të bankës ProCredit në Kosovë dhe si rrjedhojë të ketë ristrukturim të punonjësve; Kjo ka rezultuar me mbylljen e gjashtë pikave të shërbimit bankar në Kosovë, të shoqëruara me investime të mëtejshme në degët tjera të rrjetit dhe ndërprerje kontrate të punës me 86 punonjës.
Si gjithmonë banka ProCredit do të bëjë përpjekje që të mbështes punonjësit e prekur nga ky proces përgjatë periudhës së transicionit përmes pakove financiare dhe trajnimeve shtesë në fushën e Teknologjisë Informative, siç është ECDL (Licencë Evropiane për Kompjuterë) dhe kurse të gjuhës gjermane dhe angleze. Ne kemi informuar të gjithë punëtorët e prekur nga procesi i ristrukturimit dhe kemi organizuar takime personale me ta në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje në një situatë të caktuar.
Qëllimi i këtij ristrukturimi është që të optimizojm proceset e brendshme dhe të përmirësojmë efikasitetin operacional, dhe në të njëjtën kohë të përforcojmë kualifikimet e stafit tonë në këshillim me anë të trajnimeve të mëtutjeshme.
“Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin profesional të stafit tonë dhe zhvillimin e kapaciteteve këshilluese, duke ndërtuar qendrën tonë të trajnimeve në Prizren. Sot jemi ndër institucionet e vetme në Kosovë me një program të qartë të punësimit dhe të zhvillimit profesional të stafit. Andaj masat e marra do t`ia mundësojnë bankës që t`iu ofrojë klientëve të saj shërbime kualitative dhe këshilla adekuate” kanë vazhduar zyrtarët e bankës
Albena Çarkaxhiu
Head of Marketing and PR Department