Luis Enrique: Besojmë te përmbysja

E publikuar: 16/08/2015 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barcelona beson te Remuntada. Trajneri i blaugranave Luis Enrique u shfaq optimist në konferencën për shtyp në prag të sfidës së kthimit të Superkupës së Spanjës ndaj Athletic Bilbaos që do të zhvillohet këtë të Hënë. Barcës së tij për të synuar 6 trofe në një vit kalendarik i duhet të përmbysë disavantazhin 4-0 të ndeshjes së parë, megjithatë trajneri asturian nuk i ka humbur plotësisht shpresat se dicka e tillë mund të ndodhë në Camp Nou.

” Mendoj se edhe në Camp Nou, Athletic do të bëjë të njëjtën gjë si në San Mames do të na ushtrojë presion dhe nuk do të na lejojë hapsira. Ne nga ana jonë jemi të bindur se nëse i bëjmë gjërat mirë kemi shanse për të përmbysur rezultatin. Do të provojmë gjithcka për këtë të mos keni asnjë dyshim. Duke parë statistikat në sezonin e kaluar në plot 18 ndeshje shënuam minimalisht 4 gola. Kur luan Barca cdo gjë mund të ndodhë”.

Më pas Luis Enrique iu rikthye edhe njëherë ndeshjes së parë.

” Për mendimin tim nuk ishte një ndeshje për rezultatin 4-0. Ne u penalizuam nga gabimet e shumta që bëmë dhe kjo nuk është normale. Megjithatë në futboll të tilla gjëra ndodhin. Athletic Bilbao e meritoi fitoren”.

Për të parën herë në historinë e Superkupës së Spanjës një skuadër do të synojë të përmbysë një disavantazh 4-0 të ndeshjes së parë. Kjo është sfida që tërheq më shumë Enriquen dhe futbollistët e tij.

” Kemi përpara një sfidë shumë emocionuese. Askujt në të shkuarën nuk i është dashur të kthejë një disavantazh 4-0 në Superkupë dhe kjo është ajo që na intrigon më tepër. Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi përvec se duhet të realizojmë minimalisht 4 gola nuk duhet të pësojmë. Kritikat? Kur fitojmë e bëjmë të gjithë sëbashku ashtu ndodh edhe kur humbasim, lojtarët duhet të dinë të pranonjnë kritikat sepse futbolli kështu është”.