Oscar Pistorius do të dalë nga burgu më 21 Gusht

E publikuar: 13/08/2015 16:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oscar Pistorius do të dalë nga burgu gjatë javës së ardhshme. Atleti olimpik dhe Paralimpik pritet të lirohet më 21 Gusht, vetëm dhjetë muaj pas burgimit, për vrasjen e partneres, Reeva Steenkamp në vitin 2013.

Pistorius u dënua me pesë vjet heqje lirie nga Gjykata në Afrikën e Jugut. Vendimi që atleti të lirohet ende pa kryer një të pestën e dënimit, erdhi me argumentin “për sjellje shumë të mirë”.

Sipas burimeve, atleti nuk kishte aplikuar për dalje të parakohëshme nga qelia, por lirimi erdhi pas rekomandimit të bordit të burgut “Kgosi Mampuru II”.

Gjithsesi, për Pistorius mbetet rreziku që të përballet me një gjyq për vrasje, sepse aktualisht çështja e tij po shqyrtohet në Gjykatën Supreme dhe gjatë muajit Nëntor do të zhvillohet një seancë dëgjimore në Apel.

Deri në atë periudhë, ish-kampioni Paralimpik do të qëndrojë në liri me kusht, por me masa shumë të forta sigurie. Për çështjen në Gjykatën Supreme, akuza është ajo e vrasjes së qëllimshme, që parashikon minimalisht 15 vjet burgim.

Pistorius pritet të qëndrojë në arrest shtëpie, në banesën e xhaxhait Arnold në Ëaterkloof, në Pretoria. Atleti mund të thirret për të kryer punë sociale dhe duke parë masat e forta kufizuese gjatë periudhës jashtë qelisë, duket e vështirë që të kthehet në pistë për të garuar.