Flip Saunders nuk ka ndërmend të heqë dorë nga basketbolli. Trajneri-president i Minnesotta Timberwolves do të nisë një betejë të vështirë, atë të luftës kundër kancerit por ai do të vazhdojë punën për të perfeksionuar skuadrën e “Ujqërve” së cilës i ka dhënë një fytyrë interesant gjatë viteve të fundit. Sounders u diagnostikua me sëmundjen që sipas një komunikate në faqen e klubit, është e kurueshme por ndërsa do të përballojë fazën e vështirë të kimioterapisë, ai do të drejtojë edhe skuadrën në fushën e lojës.
Diagnozën fillestare e dha mjeku i skuadrës rreth 8 javë më parë. “Falenderoj stafin në mbështetjen që më ka dhënë në betejën time, por do të vazhdoj punën me të njëjtin pasion edhe pse bëhet fjalë për diçka serioze. Zoti më ka përgatitur për këtë betejë”, theksoi Saunders, i cili mbetet një ikonë e kësaj skuadre pasi fillimisht e drejtoi gjatë viteve 1995-2005 dhe u rikthye në vitin 2013 edhe me detyrën e presidentit. Gjatë karrierës së tij të gjatë në NBA, 60-vjeçari numëron 654 fitore dhe 592 humbje, ndërsa ka drejtuar yje të koshit amerikan si Kevin Garnett, Kevin Martin apo Ricky Rubio. Lufta kundër sëmundjes së rëndë është më shumë se një ndeshje, por edhe këtë herë trajneri amerikan kërkon të fitojë edhe pse ky është kundërshtari më i vështirë i karrierës së tij të gjatë.